Bashkimi Europian refuzoi në mënyrë kategorike ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për të rinegociuar marrëveshjen klimatike të Parisit dhe bëri të qartë se do të anashkalonte Uashingtonin, për të bashkëpunuar me krerët e bizneseve në SHBA dhe guvernatorët shtetërorë për implementimin e angazhimeve të ujdisë historike.
Në Britani, kryeministrja Theresa May u përball me kritika për mosnënshkrimin e një deklarate të përbashkët nga Gjermania, Franca dhe Italia, kundër vendimit amerikan.
Ndërkaq Kina, BE-ja dhe India, që së bashku me SHBA, përfaqësojnë ndotësit më të mëdhenj, kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes klimatike të Parisit.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha pas një takimi me kreyministrin kinez Li Keciang, se Brukseli dhe Pekini do të intensifikoninbashkëpunimin.
“Sot Kina dhe Europa treguan solidaritetin me brezat e ardhshëm dhe përgjegjësinë për të gjithë planetin. Jemi të bindur se vendimi i SHBA për t’u tërhequr nga marrëveshja klimatike, është një gabim i madh, megjithatë lufta jonë kundër ndryshimeve klimatike do të vazhdojë me ose pa Ameriken”, tha Donald Tusk.
Një zëdhënëse e ministrisë së jashtme kineze tha se Pekini ishte gati të merrte rolin e liderit, në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Mes lumit të reagimeve të ashpra ndërkombëtare, presidenti rus ishte mes të vetëmve që tha se nuk do ta gjykonte Donald Trumpin.
Organizata meteorologjike botërore e OKB bëri të ditur të premten, se në skenarin më të keq, tërheqja e SHBA nga marrëveshja, mund të ndikojë në një rritje prej 0.3 gradë celsius, të temperaturave, deri në fund të shekullit. Godinat rreth botës u ndriçuan me të gjelbër në shenjë proteste kundër vendimit të Trump.