Ballkani Perëndimor do të jetë sërish në fokusin e Bashkimit Europian. Përmes një draft-deklarate të siguruar nga Radio Europa e Lirë thuhet se unioni do ta ripërsërisë qëndrimin për perspektivën europiane drejt rajonit të Ballkanit në samitin e Tetorit që pritet të mbahet në Slloveni.
Në draftin e deklaratës liderët e BE-së teksa përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane e cilësojnë atë me interes strategjik, për të cilën nevojitet një zgjidhje e përbashkët.
“Mbështetja e rritur e BE-së do të varet edhe në të ardhmen nga përparimi i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, sikur edhe nga përkushtimi i partnerëve ndaj vlerave evropiane, rregullave dhe standardeve”, thuhet në draft-deklaratën e përgatitur për samitin e Bërdos.
Sipas të njëjtit draft, vendeve të rajonit do t’u kërkohet që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre dhe politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së.
Paqja dhe stabiliteti rajonal është një tjetër çështje me interes në këtë fokument, ku BE-ja kërkon pasjen e një fqinjësie të mirë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Unioni pritet të shprehë mbështetje të plotë edhe për përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Sipas draftit palëve do t’u kërkohet përparim konkret drejt normalizimit të raporteve, që cilësohen si kyçe për stabilitetin e rajonit.
Një pjesë e madhe e tekstit i kushtohet edhe ndihmës që BE-ja i ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë për vendet e rajonit në luftë kundër pandemisë, sidomos përmes donacioneve për vaksinim.
Nëse në samit vendet e unionit dhe ato të Ballkanit Perëndimor do të pajtohen me tekstin e draft-deklaratës, atëherë në fund pritet të dilet me një deklaratë të përbashkët.