Liderët e BE-së nuk arritën gjatë Samitit dy ditor në Bruksel që të marrin një vendim për çeljen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sot, në ditën e dytë të Samitit, 28 vendet anëtare do të diskutojnë për çështje të tjera të rëndësishme, si ndryshimi i klimës dhe buxheti i BE-së, por jo për negociatat me dy vendet aspirante. Kjo temë nuk është në fare në axhendën takimit të sotëm, ndryshe nga sa ishte planifikuar disa ditë më parë.
Dështimi i negociatave tashmë është fakt i kryer. BE ka vendosur që ta shtyjë këtë çështje për në Samitin e ardhshëm në Zagreb, në maj 2020. Ishte Franca këmbëngulësja më e madhe për të shtyrë vendimin, ndërsa kërcënoi edhe vendosjen e vetos nëse do hidhej në votim nisja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin.
Insistimin e tij, presidenti francez, Emmanuel Macron e lidh sa me mungesën e progresit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e sundimit të ligjit, krimit dhe korrupsionit, aq edhe me nevojën për reformimin e vetë Bashkimit Europian. Komplet ndryshe nga qëndrimi i kancelares gjermane, Angela Merkel e cila u shpreh pro çelje së negociatave dhe nisjes së bisedimeve të anëtarësimit.
Edhe vendet e tjera të unionit, ndër to edhe Italia, u shprehën pro çeljes së negociatave. Austria akuzoi Brukselin se nuk u tregoi solidare me dy vendet që presin dritën jeshile të negociatave. Kancelarja në detyrë austriake, Brigitte Bierlein, tha se Vjena është e zhgënjyer nga diskutimet e një dite më parë.
“Për solidaritetin e BE-së dhe për sigurinë brenda hapësirës, ky nuk është një sinjal i shkëlqyeshëm. Është folur që prej qershorit 2018 për të filluar bisedimet e pranimit, tashmë është marrë një kohë shumë e gjatë dhe, siç e përmenda, Maqedonia e Veriut ka zgjidhur beteja për sa i përket identitetit dhe krijimit të një strukture krejt të re”, tha ajo. “Shqipëria ka përmbushur gjithashtu shumicën e kërkesave dhe është koha që ne të fillojmë negociatat e pranimit”.
Bullgaria ishte gjithashtu pro një vendimi të tillë. Kryeministri bullgar, Borisov tha se e ardhmja e dy vendeve është në BE, pavarësisht se vendimi do të shtyhet me disa muaj. Kryeministri lituanez paralajmëroi pasoja të rënda politike nga ky qëndrim i Brukselit.
Kroacia deklaroi gjithashtu se politika e BE duhet të jetë ajo e zgjerimit në Ballkan, ndërsa shtoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të inkurajohen. “Kroacisë i vjen keq për këtë, ne mendojmë se ky ishte një moment i mirë. Ne duhet të dërgojmë një mesazh për miqtë tanë në këto dy vende për të vazhduar reformat, dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim fuqimisht ato“, tha Andrej Plenkoviç.
Italia: BE bëri një gabim historik
Kryeministri italian Giuseppe Conte ka reaguar ashpër për mos vendimmarrjen në Këshillin Europian për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri italian e ka cilësuar ditën e djeshme, ku u qartësua pozicioni negativ i Francës por edhe të disa vendeve të tjera si Holanda, Danimarka dhe Spanja, si një datë që do të kujtohet si një gabim historik.
“I thashë kolegëve të mi, është një takim me historinë. Në 1400-ën ato komunitete pushtohen nga osmanët, më pas njohin regjimin komunist. Presin të hyjnë në Europë me kohë, sot jemi në 2019 dhe kjo datë do të kujtohet si një gabim historik. Më vjen shumë keq, se është edhe aspirata e disa komuniteteve me shumicë myslimane por me kulturë europiane, pra ishte një mundësi e madhe dhe ne duhet t’i çelnim negociatat. Jam shumë afër shqiptarëve, veçanërisht atyre të Maqedonisë së Veriut që kanë bërë shumë sakrifica. Shpresoj se zhgënjimi i tyre nuk do të shndërrohet në dekurajim, ne nuk do t’ i braktisim”, u shpreh Conte.
Kryeministri Conte vizitoi Tiranën më 15 tetor, duke takuar krerët e shtetit shqiptarë dhe duke i siguruar atyre mbështetjen italiane.