Komisioni Europian i ka bërë thirrje vendeve anëtare të heqin kufizimet për udhëtimet drejt Mbretërisë së Bashkuar, pas vendimit të një sërë shtetesh për të mbyllur kufijtë si pasojë e formës së re të koronavirusit që është shfaqur në Angli.
Nëpërmjet një deklarate, Brukseli i kërkon shteteve të BE që të lejojnë “udhëtimet esenciale” për qytetarët e BE dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Kufizimet nuk duhet të pengojnë mijëra qytetarë të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar që të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha Komisioneri Europian i Drejtësisë, Didier Reynders.
Më tej, Komisioni shprehet se është dakord që vendet të marrin masa parandaluese për të kontrolluar përhapjen e variantit të ri të virusit, por shtoi se duhet “përjashtime të koordinuara” për shtetas dhe rezidentë që duan të kthehen në shtëpitë e tyre.
Komisionerja Europiane për Sigurinë e Shëndetit Stella Kyriakides tha për Euronews se “ajo që është e rëndësishme është që masat të ndërmerren në mënyrë të koordinuar midis vendeve anëtare. Kemi parë përgjatë pandemisë se harmonia dhe koordinimi na bëjnë shumë më të fortë dhe efikas në menaxhimin e pandemisë”.
Ambasadorët e BE pritet të mblidhen gjatë pasdites që të diskutojnë për masa të koordinuara.
Komisionerja për Transportin, Adina Vălean, shtoi “është thelbësore që punonjësit e transportit të përjashtohen nga masat kufizuese, si karantina apo testimi”.
Agjencia Europiane e Barnave është shprehur se “nuk ka prova” që vaksinat e reja të mos funksionojnë kundër formës së re të virusit.
Kufizimet për udhëtimet drejt Mbretërisë së Bashkuara nga vendet anëtare
Shumica e vendeve të Europës Perëndimore kanë pezulluar rrugët e transportit me Britaninë.
Spanja dhe Portugalia njoftuan të hënën se do të pezullonin fluturimet më Mbretërinë e Bashkuar duke nisur nga e marta.
Gjithashtu dhe Zvicra ka ndaluar hyrjen e pasagjerëve nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa qytetarët që kanë hyrë pas datës 14 dhjetor do duhet të izolohen për 10 ditë.
Franca ka ndaluar të gjithë format e transportit për pasagjerë që vijnë nga Britania.
Po ashtu edhe Gjermania ka shtuar kufizimet për udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuar deri në datën 6 janar.