Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli priti sot në një takim në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, shefin e Delegacionit Europian në Shqipëri, ambasadorin Luigi Soreca, ku u diskutua edhe mbi zgjidhjen optimale ndaj kërkesave të studentëve.
“Çështjet e edukimit nuk janë kompetencë e BE, për këtë arsye ne pritëm disi gjatë për të reaguar”, u shpreh ambasadori Soreca.
Më tej, Shefi i delegacionit të BE-së argumentoi se mbështetja shkon për studentët, ndërsa vlerësoi edhe gatishmërinë e qeverisë për dialog.
“Jemi të mendimit se nga njëra anë të gjithë janë në mbështetje të studentëve dhe nga ana tjetër, qeveria është e gatshme për të bashkëbiseduar. Në këto kushte nevojitet që studentët të zgjedhin një përfaqësi e cila mund të dialogojë. Ne jemi impresionuar nga zhvillimi i qytetëruar, jo i dhunshëm dhe i painstrumentalizuar i protestës. Sfida e tyre tashmë është që të organizohen që të mund të marrin edhe mbështetjen e forcave të tjera të shoqërisë civile kombëtare dhe europiane, sikurse është shoqata e Studentëve Europianë e cila është solidarizuar me studentët shqiptarë”, – tha ai.
Gjatë takimit, ambasadori theksoi se të gjithë janë të interesuar për një zgjidhje, ndërkohë që Shqipëria nuk duhet të largojë sipas tij, vëmendjen ndaj përmbushjes së detyrave që duhen kryer për hapjen e negociatave me BE-në.
“Ne të gjithë jemi të interesuar për një zgjidhje të kësaj çështje, por ndërkohë është e domosdoshme të mos largohet për asnjë çast vëmendja nga përmbushja e detyrave që duhen kryer për hapjen e negociatave me BE-në. Interesi dhe përpjekjet tona të përbashkëta duhet të bëjnë të mundur që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në takimin historik të radhës, i cili është vendimtar jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE, por edhe për rolin dhe vendin e saj gjeostrategjik në rajon. Vendimi i qershorit është treni që nuk duhet humbur sepse nuk dihet nëse dhe kur do të kalojë përsëri. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë spektrin politik shqiptar”, u shpreh shefi i Delegacionit Europian në Shqipëri.