Aktualitet Beci për zjarrin e frikshëm në tregun e rrobave në Shkodër: Situata...

Beci për zjarrin e frikshëm në tregun e rrobave në Shkodër: Situata nën kontroll, nuk ka persona të lënduar

Pas afërsisht dy orësh në luftë me flakët, situata në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës në një treg të rrobave të përdorura, është stabilizuar.

Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka thënë se zjarri i përmasave të frikshme që “pushtoi” pasditen e sotme lagjen e qytetit verior, nuk përbën më një rrezik.

Më tej, Beci u shpreh se zjarri ka shkaktuar dëme materiale, por lajmi i mirë është që nuk ka persona të lënduar.

Benet Beci: Sapo është stabilizuar situata. Ka 1 orë e gjysëm që është një luftë e vërtetë për të menaxhuar dhe për të mbajtur nën kontroll situatën e zjarrit. Mendoj se tani nuk ka më një rrezik. Jam i gëzuar që nuk patëm dëme në njerëz. Ka dëme materiale, situata ka qenë shumë e rëndë. Faleminderit të gjithë strukturave të zjarrfikësve që kanë ardhur këtu. Dua të theksoj se kjo situatë këtu, ku zjarrfikësit nuk kishin mundësi që të futeshin, kur e gjithë kjo katrahurë urbanistike e zonës, mendoj se ka qenë një shqetësim i madh. Kemi akoma punë për të pastruar situatën dhe për të vënë nën kontroll gjithë këtë hapësirë. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe se situata e zjarrit tani është nën kontroll.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Beci ka thënë se do të shqyrtojnë një plan masash për familjet, banesat e të cilëve janë prekur nga zjarri. Beci ka mbyllur prononcimin e tij për mediat duke thënë se nuk ka pasur në Shkodër ndonjëherë një rrezik kaq të madh nga zjarri.

Pyetje: Për fat të keq janë disa banesa të djegura, do të ketë një plan masash për këto familje? Janë një numër i madh familjesh.

Benet Beci: Patjetër që do e shqyrtojmë, sipas të gjitha rregullave dhe të grupeve të vlerësimit, do të ndiqet dhe problemi se çfarë ka ndodhur. Mendoj se të gjitha instancat janë të organizuara dhe të gatshme për këtë situatë. Jam i kënaqur të them se organizimi ka qenë i mirë dhe një koordinim i mirë që ka bërë të mundur marrjen nën kontroll relativisht të shpejtë të situatës, pavarësisht zjarrit me përmasa të jashtëzakonshme. Besoj se nuk ka pasur në Shkodër një rrezik kaq të madh.