Kris Hill, një ndër diplomatët e parë amerikanë në Shqipërinë e pas-komunizmit, ka cekur sërish atë që tashmë ka gishta “pluhur harrese”: çështjen e firmave piramidale në Shqipërinë e ’94-’95-’96, deri në fillimet e vitit ’97, ku më pas do vinte rënia e tyre, pasuar nga një kaos e anarki e pazakontë, me elementet e një “lufte pa luftë”.
Ç’ishin ato para që po jepeshin me fajde dhe pse ranë firmat?
Kësaj pikëpyetje të madhe, ish-diplomati amerikan i dha këtë shpjegim gjatë një interviste me gazetarin Sokol Balla në Real Story-n e këtij të fundit.
“Them që kishte të bënte me situatën në Kosovë, sepse ajo që ndodhi ishte ajo që u quajt ‘skema piramidale’ këtu. Por nëse shihni me kujdes se si funksiononin ato skema piramidale, jepnin para që ishin këtu për shkak të kontrabandës së naftës dhe pas arritjes së paqes nuk ishte më nevoja për kontrabandë dhe skema piramidale kaloi në kolaps, duke shkaktuar që shumë njerëz të humbnin para”, tha Hill.
Kjo tezë del për herë të parë në publik, mbi burimin e atyre të ardhurave që nisën të jepen me fajde, ndërkohë që ka mbetur ende pa përgjigje se ku firuan me pas paratë e mbledhura dhe se a kishte gisht politika në ato skema.