Presidenti Bajram Begaj, deklaroi se çështja e kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Fredi Beleri, nuk është në dorën e presidentit, por të drejtësisë.
Begaj, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” u pyet se cili ishte qëndrimi i tij dhe nëse kishte pasur komunikim me palën greke.
Presidenti tha shkurtimisht se marrëdhëniet me Greqinë bazohen në fqinjësi të mirë.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë marrëdhëniet e një partneriteti strategjik, bazohen në vlerat më të mira të fqinjësisë dhe respektit mes njeri-tjetrin. E kam pritur në zyrën time kryeministrin e Greqisë, kemi diskutuar për çështje të reja dhe të vjetra”.
Sipas tij, drejtësia pas reformës së bërë me konsensus politik është në rrugën e duhur dhe është e pavarur.
Sa i takon një çështje tjetër të hapur me Greqinë atë të Detit, Begaj theksoi se është ngritur një grup ekspertësh, të cilët do të punojnë në përputhje të plotë me Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi ngritur një grup ekspertësh që po ndërveprojnë me njëri-tjetrin që për të arritur në një modalitetet të autorizimit në përputhje me Kushtetuesen”, tha Begaj duke shtuar se vlerësimi i kërkesës së MEPJ-së nuk është çështje kohe, por kërkesë ligjore.
Po ashtu, Begaj foli edhe për tre ligje shumë të diskutuara të qeverisë që i kaloi në heshtje.
Bëhet fjalë për ligjin për studentët e Mjekësisë, atë për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe për Akademinë e Shkencave.
Sipas tij, arsyeja për kalimin në heshtje të tyre ka të bëjë me disa dilema kushtetuese.
“Heshtja ime në këtë rast nuk ka të bëjë me faktin se është një mosvendimmarrje të presidentit, por kishte të bënte me faktin e dilemave kushtetuese”.