Politika Begaj në Kazakistan: Linjë ajrore mes dy vendeve dhe hapje e ambasadës...

Begaj në Kazakistan: Linjë ajrore mes dy vendeve dhe hapje e ambasadës në Tiranë

Presidenti Bajram Begaj me ftesë homologut të tij të Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev ka zhvilluar një vizitë shtetërore, e cila vjen në një kohë kur mbushen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Pas ceremonisë zyrtare, të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, ku një ndër çështjet që u diskutua ishte edhe hapja e ambasadës të Kazakistanit në Tiranë.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve. Një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev”, tha presidenti Begaj.

Begaj paralajmëroi takimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj te Kazakistanit për të vijuar me tej bashkëpunimin ekonomik mes vendeve, teksa shtoi se së shpejti do të hapet edhe linja ajrore mes Kazakistanit dhe Tiranës.

“Së shpejti do të ketë edhe një takim mes dy qeverive për të parë më tej se çfarë bashkëpunimesh do të kemi. Shqipëria përjetoi një bum turizmi, së shpejti mes Tiranë-Kazakistan do të ketë linje ajrore të drejtpërdrejt që turistët të vizitojnë Shqipërinë”, tha ai.

Gjatë vizitës së tij Begaj u takua edhe me Kryetarin e Senatit së Kazakistanit, Maulen Ashimbayev ku diskutuan për rëndësinë që kanë marrëdhëniet parlamentare në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.