Presidenti Bajram Begaj priti në takim të Ngarkuarën e re me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn.
Begaj uroi diplomaten amerikane për nisjen e detyrës, duke shprehur besimin se gjatë mandatit të saj do të përforcohet më tej partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më tej, kreu i shtetit rikonfirmoi angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në këtë partneritet strategjik, duke shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen bujare dhe vendimtare ndaj vendit tonë.
Presidenti theksoi se mbështetja e SHBA-së rrit angazhimin e Shqipërisë për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit, përpjekje këto të qëndrueshme me synim finalizimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Për sa i përket situatës në rajon, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria vlerëson angazhimin e administratës amerikane, duke theksuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor mbetet vendimtar.
Znj. VanHorn është një diplomate karriere e cila iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në 2007 dhe së fundi përfundoi detyrën e saj si Zëdhënëse e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, duke koordinuar mesazhet për më shumë se 40 ambasada në Europë.