“Bëhu gati për goditje… Afrohu 45-sa!” Ky është momenti kur policia rrethon në hyrje të qytetit të Rrëshenit, Marian Gjokën. Autoritetet kishin informacion se ai po transportonte mina me telekomandë, ndaj dhe u vunë në lëvizje për ta arrestuar. E kështu ndodhi.
Gjoka, i cili minat i kishte në çantën e shpinës, po lëvizte i qetë kur dy makina civile i afrohen nga të dyja anët. 5 oficerë policie dalin menjëherë nga mjeti, duke mos i lënë asnjë shans për t’u arratisur.
Në njoftimin për mediat, policia e Mirditës tha se Gjoka kishte me vete dy mina me telekomandë, të cilat i kishte sjellë nga Mali i Zi, ku ishte rezident.
Pas arrestimit, atij iu kontrollua edhe shtëpia në Qafë Unazë të Rubikut. Atje iu gjet një kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Dyshimet e policisë janë minat do të përdoreshin për të kryer krime kundër personit. Për këtë arsye, autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.