Kryetari i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi protestë të fuqishme për skandalin e inceneratorëve, një prej tyre dhe incenerator i Tiranës që konsiderohet nga opozita si një nga aferat më të mëdha korruptive të qeverisë Rama dhe bashkisë së Tiranës.
“Harroni përfundimisht fjalën korrupsion. Të përdorim fjalën vjedhje. Ky është përkthimi i saktë i kësaj fjale në gjuhën shqipe. Për të vjedhur Erion Veliaj një vepër për të cilën duheshin firmat e të gjitha bashkive në qark, e ka firmosur ai.
Në aferën mostruoze të djegësave është kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Djegësi ka 283 mln euro. Nuk ka lënë ligj pa shkelur dhe procedurë pa dhunuar për të bërë realitet vjedhjen e tij mostruoze me Edi Ramën.
Erion Veliaj prej 5 vitesh u merr qytetarëve të Tiranës pa tvsh 28 euro/ton mbetje ndërkohë që kontrata e firmosur nga Gugalja – Rama – Veliaj thotë se plehrat për depozitim do të paguhen për 12 euro/ton. Asnjë ton nuk është djegur se djegësi nuk ekziston. Në këto 5 vite Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë plaçkitur shqiptarët”, tha Berisha.
Ai paralajmëron Veliajn të bëhet gati pasi do të përballen me protesta masive që do i japin fund kësaj qeverisjeje.
“Erion Velisë i them bëhu gati se do te përballesh me protestën me të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Mund të trysnosh SPAK, por uraganin e shqiptarëve prite se po të vjen. Duke përfunduar u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, të rinjve pensionistëve, punonjësve të përgatitemi për një betejë përfundimtare më këta hajdutë që nuk kanë moral tjetër përveç vjedhjes, cinizmit dhe përçmimit ndaj jush”.