Partizani projekton goditjen e madhe për sulmin. Së fundmi në skenë ka dalë një emër i bujshëm. Të kuqtë po mendojnë seriozisht për të afruar në skuadër, sulmuesin e kombëtares Bekim Balaj, i cili aktualisht është një lojtar i lirë në treg pasi i përfundoi kontrata me Akhmat Grozny-n dhe klubi rus nuk i ofroi rinovimin.
Balaj për momentin as që e mendon rikthimin në Shqipëri pasi në moshën 28-vjeçare kërkon edhe një eksperiencë tjetër jashtë vendit në një kampionat të rëndësishëm, gjithsesi fakti që bomberi shkodran menaxhohet nga Shkumbin Qormemeti të bën të mendosh që Partizani mund ta tentojë afrimin e tij, pasi menaxheri i famshëm shqiptar pritet të bashkëpunojë me klubin e kuq për merkaton.
Pjesëmarrja e Partizanit në Champions është një tjetër faktor që Balaj mund të pranojë ofertën e të kuqëve të paktën për kompeticionet europiane ku ai mund të vihet në evidencë me Partizanin për të firmosur më pas një kontratë milionere në Europë pse jo edhe në Azi.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim por Bekim Balaj është një opsion i shkëlqyer për sulmin e Partizanit.