Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat foli në lidhje me çështjen “Beleri”, i cili është zgjedhur kreu i Bashkisë së Himarës, por që ndodhet në burg.
Ai refuzoi të komentojë protestën e 14 gushtit, ndërsa shtoi se Fredi Beleri është i burgosur politik.
Çështjen “Beleri” e cilësoi rast tipik të drejtësisë me regji dhe që tregoi sipas tij, funksionimin e shtetit si një juntë.
“Nuk kam asnjë koment për protestën sepse protestat në një vend demokratik duhet të jenë të përditshme. Por kam një qëndrim shumë të qartë për rastin Beleri, i cili është i burgosur politik i kryeministrit aktual. Provat nuk kanë munguar. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Qëllimi i arrestimit ka qenë një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës dhe së dyti dhe qëndrimi që u mbajt ndaj tij është demonstrim i mosekzistencës së shtetit ligjor. Kjo bëhet në mënyrë që atij t’i pamundësohet betimi pas fitores që ai realizoi edhe si i ndaluar nga policia”, tha Meta.