Kryesore “Beleri të marrë detyrën menjëherë”, kushti i Greqisë për negociatat me Shqipërinë

“Beleri të marrë detyrën menjëherë”, kushti i Greqisë për negociatat me Shqipërinë

Greqia e ka ashpërsuar qëndrimin e saj kundrejt Shqipërisë, sa i takon çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, duke e bërë tashmë zyrtare se do të vendosë kusht betimin e tij, për pëlqimin e nisjes së kapitujve negociues.

Sipas, “Kathimerini-t”, ky kusht është depozituar përmes një deklarate me shkrim ditën e djeshme në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) në Bruksel, të cilat janë zbardhur nga media greke.

Pala greke kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë dhe të bëhet prezumimi i pafajësisë.

“Për Greqinë, kjo situatë bie ndesh me vlerat tona të përbashkët evropiane, kriteret e anëtarësimit”, thuhet mes rreshtave në deklaratë.

Kjo deklaratë me shkrim është qëndrimi zyrtar i Greqisë përsa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura”, përfundon deklarata.

“Kathimerini” shkruan se në letër theksohet gjithashtu se çështja Beleri “përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, sidomos të pjesëtarëve të pakicës etnike greke”.

Ky qëndrim i palës greke ka në përmbajtje dhe një historik të shkurtër të kësaj çështje dhe thekson se në prag të zgjedhjeve të 14 Majit, Beleri kishte qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve të drejtpërdrejta verbale nga lidershipi politik shqiptar. Më tej thuhet se “me gjithë këto sulme, Beleri ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës që arriti të zgjidhej në 61 bashkitë e vendit”.

Sipas kësaj letre, pala greke akuzon Shqipërinë për praktikë diskriminuese “kundër anëtarit të një pakice etnike të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare”.

“Paraburgimi i Belerit pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar. Vihet re gjithashtu, se në ligjin shqiptar është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cënon pavarësinë e gjyqësorit.”

Në vijim, pala greke pretendon: Parandalimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur, Belerit është një vendim politik i ndërgjegjshëm i qeverisë shqiptare që pasqyron përbuzjen e saj ndaj parimeve themelore të shtetit të së drejtës.

“Kathimerini” e mbyll artikullin duke shkruar se pritet me interes lëvizja e radhës nga ana e Tiranës pas kërkesës së Belerit për një leje të posaçme për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës më 4 dhjetor.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u arrestua dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 14 majit dhe akuzohet për “Korrupsion në zgjedhje”.