Politika Beleri u sulmua me vezë, reagon Bardhi: Sulm i orkestruar nga Rama

Beleri u sulmua me vezë, reagon Bardhi: Sulm i orkestruar nga Rama

Një incident ka ndodhur sot pas takimit të një delegacioni të Parlamentit Europian në Kryesinë e Kuvendit, ku eurodeputeti Fredi Beleri është sulmuar nga një qytetar.

Ai ka hedhur në drejtim të tij vezë dhe kos, ndërsa Beleri nuk ka reaguar.

Këtë ngjarje e ka komentuar kreu i deputetëve të PD-së, Gazment Bardhi, që e cilëson si sulmi të orkestruar nga Edi Rama.

“Sulmi fizik i orkestruar nga Edi Rama, në mjediset e jashtme të Kuvendit, ndaj eurodeputetëve është një akt që turpëron Shqipërinë. Pasi i mbyllën derën në hyrje, më pas në dalje kaluan në sulm fizik, duke shkelur kodin e shenjtë të mikpritjes dhe të harmonisë ndër etnike.

Pasi anuloi takimin në mënyrë të papritur me eurodeputetët, si skuth urdhëroi sulmin ndaj tyre, duke provuar edhe njëherë që nuk njeh limite ndaj kujtdo që nuk i shërben interesit të tij personal.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD, dënoj me forcë sulmin fizik ndaj eurodeputetëve dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese të veprojnë menjëherë”, shkruan Bardhi

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet nga listat e partisë greke Demokracia e Re e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.