Maroku shënoi dy gola dhe siguroi një fitore të madhe 0-2 ndaj Belgjikës në duelin e dytë të grupit F në Botërorin e Katarit. Djemtë e Walid Regragui siguruan tri pikë të arta falë dy golave të shënuar në pjesën e dytë.
Hakim Ziyech mposhti Thibaut Courtois në minutat shtesë të pjesës së parë falë një goditjeje dënimi, por VAR-i anuloi golin. Marokenët nuk u ndalën dhe festuan 17 minuta nga fundi. Lojtari i Sampdorias, Abdelhamid Sabiri përsëriti goditjen e Ziyech te goli i anuluar.
Këtë radhë goli ishte i rregullt dhe në shkallët e “Al Thumana” nisi festa e tifozëve të zjarrtë marokenë. Roberto Martinez përdori edhe kartën Romelu Lukaku, por në minutat shtesë erdhi goli i dytë për Marokun.
Ziyech lëvizi bukur në krahun e djathtë, u fut në zonë dhe dhuroi asist për Zakaria Aboukhlal. 22-vjeçari i Toulouse tundi rrjetën kundërshtare dhe nisi festën me shokët e ekipit. Fitore e merituar dhe vendi i parë në grup për Marokun, ndërkohë që Belgjika zhgënjeu.
“Djajtë e Kuq” patën fat në takimin e parë ndaj Kanadasë, të cilin e fituan 1-0, ndërsa sot dhanë fare pak në fushë dhe u vunë në vështirësi të mëdha nga shpirti luftarak, shpejtësia dhe guximi i lojtarëve të Marokut.