Eliminimi i parë i bujshëm nga Botërori: Belgjika nuk kualifikohet për në turin tjetër, duke e mbyllur në vendin e tretë të grupit F, pas Marokut dhe Kroacisë. Ndërsa Maroku mori tri pikët edhe ndaj Kanadasë dhe falë barazimit mes Kroacisë dhe Belgjikës mori vendin e parë të grupit.
Lukaku lë në “baltë” Belgjikën
Kroacia nuk fiton ndaj Belgjikës, por ia del të kalojë Grupin F. Kombëtarja ballkanase e mbylli me shifrat 0-0 ndeshjen dhe siguroi vendin e dytë në grup, teksa kroatët duhet të “falenderojnë” Romelu Lukakun që në pjesën e dytë shpërdoroi një “thes” me raste për belgët.
Sa i takon kronikës së sfidës, pjesa e parë pa Kroacinë më kërkuese teksa pa u mbushur minuta e parë, ballkanasit treguan muskujt me anë të Ivan Perisic që me një goditje të fortë kërcënoi portën e Courtois. Ndërkohë, episodi më interesant i pjesës së parë u regjistrua në minutën e 15-të kur Kroacia fitoi një 11-metërsh, por teksa Modric bëhej gati të godiste, VAR ndërhyri dhe zbuloi një pozicion të parregullt të Dejan Lovren. Shpëtuan belgët ndërsa dëshpërim në radhët e kroatëve.
Në fraksionin e dytë, Kroacia u shfaq shumë këmbëngulëse në minutat e para teksa Courtois u desh të ndërhynte në dy raste për të evituar golin në goditjet e Brozovic dhe Luka Modric. Megjithatë, shansin më të pastër e pati Romelu Lukaku, por për habinë e të gjithëve sulmuesi gaboi me portën thuajse të boshatisur. Në vijim, sërish lojtari i Interit që në minutën e 90-të shpërdoroi një rast tw pastër teksa gaboi para portës së boshatisur. Deri në fund nuk pati më shanse për belgët me kroatët që qëndruan kompaktë dhe Belgjika kthehet në shtëpi pasi e mbyll grupin në vendin e tretë.
Kanadaja e mbyll me 0 pikë
Maroku mposhti 2-1 Kanadanë dhe ia del të kualifikohet për në fazën pasardhëse, madje duke e mbyllur në vendin e parë Grupin F. Vendimtar për kombëtaren afrikane, golat e Ziyech dhe En Nesyri.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, pjesa e parë, Maroku i shfaqi menjëherë ambiciet e saj dhe ia doli të zhbllokonte rezultatin që në minutën e katërt me anë të Hakim Ziyech. Futbollisti që aktivizohet në radhët e Chelseat në Premier League përfitoj edhe nga një dalje e gabuar e portierit kanadez Borjan i cili la kuadratin e boshatisur dhe sulmuesi nuk e pati të vështirë për ta ndëshkuar.
Vrulli i Marokut vijoi edhe në minutat në vazhdim, teksa kombëtarja afrikane gjeti dyfishimin në minutën e 23-të me anë të En Nesyri. Sulmuesi i Sevilla nuk fali portierin Borjan dhe i dhuroi qetësi skuadrës së tij. Megjithatë, kanadezët edhe pse nuk luanin për ndonjë objektiv konkret kërkuan të reagonin dhe fati i ndihmoi pasi nëpërmjet autogolit të Aguerd në të 40-tën shkurtuan diferencat. Goli i Kanadasë zgjoi Marokun që shënoi sërish me En Nesyrin por këtë herë sulmuesi ishte i pafat pasi goli iu anulua për një pozicion jashtë loje të Aguerd që ishte në rrezen e portierit kundërshtar.
Në fraksionin e dytë, Maroku provoi të menaxhonte sfidën, por ishte Kanadaja që iu afrua seriozisht rrugës së rrjetës me një goditje me kokë të Hutchinson që u ndal nga traversa dhe më pas Johnston nga fare pranë nuk gjeti kuadratin e Bono. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe Maroku siguron fazën e 1/8-tave ndërsa e mbylli Grupin F në vendin e parë, nga ana tjetër, Kanadaja e mbyll Botërorin me 0 pikë.