Politika Belind Këlliçi: Pse kam vendosur të kandidoj në primare për bashkinë e...

Belind Këlliçi: Pse kam vendosur të kandidoj në primare për bashkinë e Tiranës

Belind Këlliçi ka bërë me dije se ka vendosur të kandidojë në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës.

Përmes një deklarate për shtyp, Këlliçi tha se ky vendim erdhi për disa arsye, ku më kryesorja është se kryeqyteti ka nevojë dramatike për ndryshim.

“Kam vendosur të kandidoj në primaret e Partisë Demokratike. Ky vendim u arrit për disa arsye: së pari Tirana ka nevojë dramatike për ndryshim. Besoj se Bashkia është shfrytëzuar nga Veliaj për pasurim të jashtëligjshëm. Veliaj e ka shfrytëzuar detyrën për të blerë mbështetje politike brenda PS-së. Tirana mund të rregullohet edhe pa vjedhur. Ky është një model që politikanët duhet të ndërgjegjësohen. Tirana bëhet çdo ditë e më shumë e pajetueshme. Në 8 vite Tirana humbi trashëgiminë e saj historike qindra vjeçare.

Veliaj kërkon të shfrytëzojë këtë pushtet, i duhet bashkia për një mandat të tretë, që këtë model të vjedhjes ta rrisë akoma më shumë. E kam të papranueshme të mbetem një dëshmitar okular i kësaj katastrofe në Tiranë. Të rinjve këtu u duhen tre jetë për të blerë një apartament. Veliaj është i vetmi njeri që mund të ketë konkurruar Ramën për abuzim me detyrën, për instalimin e një modeli të mbrapshtë. Ai dhe modeli i tij duhet larguar një orë e më parë.

Kandidoj pasi besoj se për të drejtuar Tiranën duhet të fitosh në fillim besimin e forcës ku kandidon. Unë nuk i bëj kurrë bisht garave dhe përballjes.

Nuk kam asgjë për tu turpëruar dhe jam krenar për rrënjët e mia. Nuk kam të vdekur në ndërgjegje. Nuk kam shpikur inceneratorë për të vjedhur. Nuk e kam futur kurrë dorën në xhepin e askujt. Mua nuk më lidh asgjë me këtë model të neveritshëm”, tha Këlliçi ndër të tjera.