Kryeministri Edi Rama këtë të Mërkurë ka vizituar Klosin në kuadër të takimeve elektorale në të gjitha qytetet e vendit. Rama nuk kurseu lëvdatat për kandidaten e mazhorancës për këtë bashki Valbona Kolën, e nga ana tjetër ironizoi rivalin e saj politik Bedri Hoxhën.
Kryesocialisti theksoi se qarku i Dibrës ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik i cili padyshim do bëjë pjesën e vet për ta kthyer Shqipërinë në kampione të rajonit.
“Unë s’kam hallin tim se e keni pa sa kam ik nga britmat e tyre. Problemin e kam te qytetarët. Ky qark ka dhe Belindën këtu që është burri më i fortë që kemi në qeveri, përveçse është grua, nënë e shoqe është dhe kokëderre e madhe si person. Sa herë që e kërkoj thotë jam në Dibër dhe realisht kemi vendosmërinë që t’i japim një shtysë shumë të fortë këtij qarku sepse është një potencial ekonomik i pazbuluar, jo thjesht për dibranët, por për ekonominë shqiptare. Shqipëria kampione e Ballkanit nuk bëhet vetëm me detet, por duke futur dhe pjesën malore të Shqipërisë.
Për Valbonën nuk kam unë për të thënë shumë se ju e njihni, nuk është papunë si Bedriu, ne ja kërkuam sepse realisht duam të bëjmë hapa të tjerë përpara me Klosin. Unë e them gjithmonë që bashkia është grua, qeveria është burrë. Bashkia është e zonja e shtëpisë, për të pastruar rrugët. Me ju ik gratë një muaj jo shtëpia që bëhet lesh, por edhe leshi i mjekrës ju bëhet më i gjatë se imi. Hiq bashkinë është si me heq gruan nga shtëpia. Kush e pastroi, Bedriu? E imagjinoni ju Bedriun duke pastru? Nuk ndodh, nuk është punë Bedriu kjo. Këta janë Bedri në tru se po të kishin zotësi do na e tregonin, që nga ’92-i të na tregojnë kemi pas këtë bashki dhe ja si e kemi bo, dy gjona bëjnë këta, ose shkojnë aty ja fusin gjumit si me të flejt gruaja në shpi ditë natë gjumë, ose të shkatërrojnë.”
E pranishme në këtë takim ishte dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e cila deklaroi se më 14 Maj vota duhet të shkojë për Valbona Kolën.
“Duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur. Një zgjedhje më 14 Maj që duhet që vota të shkojë për Valbona Kolën dhe për PS. Që Valbona Kola të bëjë punë të mira ka nevojë për krahët e saj dhe krahët e saj janë këshilli bashkiak.”