Aktualitet Ben Blushi rrëfen takimin me gjyshen e tij, Mynever Shuteriqin

Ben Blushi rrëfen takimin me gjyshen e tij, Mynever Shuteriqin

Mynever Shuteriqi

Shkova të takoj gjyshen. Mynever Shuteriqin

Nuk dole sot, e pyeta

Jo, tha po të prisja

Del çdo ditë?

Pothuajse çdo ditë,

Ku shkon?

Këtu afër te Toptani, pi kafe

Me kë pi kafe?

Herë vetëm, herë me njerëz

Po shoqet nuk vijnë për kafe?

Nuk kam më shoqe, tha Myneveri, ose janë sëmurë ose kanë vdekur

Të ka marrë malli për Gjirokastrën?

Jo nuk më merr malli për Gjirokastrën. Ika dy vjeç që aty nuk kam kujtime

Pse ikët nga Gjirokastra?

Babai ishte nënpunës i pyjeve dhe e qarkullonin në qytete të ndryshme

Ku keni jetuar tjetër?

Kudo. Lushnje, Elbasan, Delvinë. Aty mësova pak greqisht

Nuk e dija që di greqisht, i thashë

Gjithë Delvina fliste greqisht dhe unë e mësova nga shoqet e fillores

Po tjetër çfarë gjuhe flet?

Italisht, tha Myneveri

Ku e mësove italishten?

Në shkollën Nëna Mbretëreshë në Tiranë

Ishte shkollë e mirë?

Shkolla më e mirë për vajza, babai paguante 12 napolona në vit

Çfarë mësuesish kishit në shkollë?

Kryesisht italianë

Dinin shqip?

Shumë pak. Mësuesja ime e italishtes quhej sinjora Dotmasse. Ajo thoshte që italishtja është gjuha e Zotit, frëngjishtja është gjuha e dashurisë, ndërsa shqipja është gjuha e zogjve. Po ti di italisht?

Kuptoj, thashë unë

Do të të recitoj Dante Aligerin, më pyeti Myneveri

Dua, i thashë

Tanto gentile e tanto honesta pare

La donna mia

quando ella altrui salute

che va dicendo al anima

Sospira

Ma përkthe, i thashë

Shumë e ëmbël dhe shumë e bukur duket

e dashura ime

çdo njeri që e sheh

i thotë vetes

psherëti

Shumë e bukur, thashë unë

Është Soneti i Beatrices, tha Myneveri, Dante ia kushtoi se e kishte të dashur

Vërtet s’të merr malli të shkosh në Itali, e pyeta

Kam qenë në Itali, vetëm në Francë s’kam qenë. Dhimitri, gjyshi yt më thoshte gjithmonë, si s’të çova një herë në Francë

Ai e donte shumë Francën, thashë unë

Aty studioi 6 vjet, tha Myneveri kishte dhe një të dashur

Ti tregonte ty të dashurat, e pyeta

Këtë historinë e Blanshes po

Ca thoshte Dhimitri për Blanshën?

I mbante fotografitë e saj në shtëpi. Një herë kur fëmijët luanin dhe nxorën fotografitë më pyetën kush është kjo vajza që ka dalë me babin. Dhimitri u bë keq sepse mendoi se unë do bëhesha xheloze

Po ti ishe xheloze?

Jo, tha Myneveri. Kur ndodhi kjo puna e fotografive me fëmijët, Dhimitrit i thashë që unë nuk kam punë me jetën tënde të mëparshme dhe ai u lehtësua

Ku u njohe me Dhimitrin?

Në Elbasan gjatë luftës. Unë shkova të dilja partizane. Por komandanti i brigadës 17, më tha ti nuk do vish në mal. Gjithë shoqet dhe shokët e mi ikën në luftë

Po ty pse nuk të morën, e pyeta

Mua më thanë që të merresha me shtypin e luftës dmth të shkruaja komunikata dhe ti shpërndaja. Unë nuk di ta bëj këtë punë, i thashë.

Do të ndihmojë Dhimitri, më thanë, ai është shkrimtar do punoni bashkë

Sa vjeç ishe?

18 në atë kohë. Më futën dhe dy herë në burg

Po në burg pse?

Për këto komunikatat që shkruanim. Më mbanin një javë pastaj më lironin për mungesë provash

Edhe kështu u njohe me Dhimitrin?

Na çuan në një bazë ilegale të shtypit që duhet të ishte sa më thellë që gjermanët mos e gjenin dot.

Ku ishte ky vend?

Në Shpat të Elbasanit, në fshatin Stërstan

Kam qenë në Shpat, thashë unë

E di ç’dmth Stërstan, më pyeti Myneveri

Jo, i thashë

Stërstan do të thotë përtej staneve, kaq larg ishte

Mendon se ke jetuar mirë, e pyeta

Mendoj se i kam marrë jetës më shumë nga çmundet, tha Myneveri

Kur te pyesin sa vjeç je si i përgjigjesh?

Që jam aq vjeç sa dukem

Kur e ke ditëlindjen?

Sot në 21 qershor, me solsticin e verës

Po sa vjeç je?

Jam 100 pa 2, tha Myneveri

Duhet të bëhesh patjetër 100, i thashë

Do përpiqem, tha Myneveri

Tani do të bëj një fotografi, i thashë

Shpejt, tha, duhet të dal

Ku do shkosh?

Do shkoj për darkë, tha, më ka ftuar vëllai yt.