Nga Ben Blushi
Eduard Duralliun e takova rastësisht dje në mbrëmje në rrugën e Kavajës.
Më pëlqeu mjekra e tij e bollshme dhe pamja prej një njeriu në paqe me veten dhe me botën përreth.
Ai ecte qetësisht në trotuar, duke i qeshur njerëzve të panjohur dhe të njëjtën gjë bëri edhe me mua kur i kërkova ta fotografoja.
Kur kishte vajtur në shtëpi, dje në darkë, i kishte treguar gruas që Ben Blushi i kishte kërkuar një fotografi. A e njef mire?, e kishte pyetur gruaja. Ai ka një nishan në faqe. Nëse nuk e ka, nuk është ai.
U takuam sot në ora 11.00 paradite përballë xhamisë së rrugës së Kavajës. Eduardi kishte ardhur 10 minuta më parë, unë shkova 3 minuta më vonë.
E paske nishanin, më tha. Do ti them gruas.
Pasi e fotografova më tregoi historinë e tij, të cilën po e tregoj.
Eduard Duralliu ka lindur para 63 vitesh si Eduard Ndoji. Babai i tij Gjin Ndoji ishte nga Mirdita.
Të atin e Gjinit dhe gjyshin e Eduardit e kishin akuzuar si bashkëpunëtor në organizimin e lëvizjes antikomuniste të Postribës të vitit 1946. Gjyshin ia kishin pushkatuar dhe të njëjtin fat pati edhe babai Gjin Ndoji, që u pushkatua edhe ai në vitin 1962. Si agjent.
Nëna e Eduardit quhej Pranvera Konica dhe ishte mbesa e Faik Konicës, pra vajza e vëllait. Ajo e lindi Eduardin në Krujë, por për shkak të persekutimit të familjes, ky jetoi shumë pak me prindërit dhe deri sa u bë burrë, nuk i njohu as nënën as babain.
Eduardi përfundoi në një jetimore. Para se të pushkatohej Gjin Ndoji i la amanet djalin e vetëm një shokut të tij, një mjeku nga Tirana, Barjam Duralliut. Ky e birësoi Eduardin dhe i dha mbiemrin e tij. Kështu Eduard Ndoji u rrit si Eduard Duralliu dhe sot ka ende atë mbiemër.
Disa muaj para se të vdiste, në vitin 2000 Barjam Duralliu i tregoi Eduardit historinë e vërtetë të familjes dhe të prindërve biologjikë.
Kështu Eduardi shkoi të kërkonte nënën, mbesën e Faik Konicës, Pranverën.
Pranvera Konica kishte studiuar në Francë. Para persekutimit dhe pushkatimit të burrit kishte qenë mësuese në Shkodër. Kur Eduardi e gjeti kishte degraduar nga vuajtjet, alkooli dhe sëmundjet. Kishte qenë pastruese në banjot publike të Tiranës, aty ku sot është monumenti i Ushtarit të Panjohur shumë afër bustit të Sulejman Bargjinit, themeluesit të Tiranës. Ato banjo publike sot nuk janë më.
Vetë Eduardi ka bërë gjithsej 9 vite burg me dy raunde.
Herën e dytë u burgos kur punonte në Uzinën Nish Kimike të Tiranës.
Si në një film të realizmit socialist ku luan Ndriçim Xhepa, në Nish Kimike u prishën termoçiftet. Eduardi u akuzua për sabotim dhe shkoi në burgun e Burrelit. Më vonë u akuzua edhe për arratisje dhe kështu përfundoi dy herë në burg.
Në vitin 1991 më në fund arratiset në Jugosllavi. Që aty shkon në Belgjikë dhe martohet me një bullgare.
Që nga ajo kohë është martuar dhe dy herë të tjera. Gjithsej tre herë.
Me një greke dhe pastaj sot e kësaj dite me një shqiptare.
Ka gjithsej 6 fëmijë. Dy djem dhe katër vajza nga tre martesa.
Eduardi flet nga pak disa gjuhë. Më mirë di serbishten, pak greqisht, pak italisht. Po frëngjisht?, e pyeta, si flet? Gjysmo-gjysmo, më tha nipi i Faik Konicës duke qeshur.
Kur po më priste para Xhamisë së Rrugës së Kavajës, po dëgjonte në Youtube një hoxhë nga Srebrenica. Ai predikonte serbisht. Po këtë ç’e do, i thashë. Është hoxhë, me tha, është vëllau jonë musliman.
Deri në vitin 2006, Eduard Duralliu ishte katolik. Në burgun e Burrelit vetëm unë mbaja kryq, më tha.
Pse u bëre mysliman, e pyeta.
Më bindi një shok i burgut, tha Eduardi. Tani kam gjetur paqe.
Ça ndryshimi ka, i thashë unë.
Feja katolike është e pastër, tha. Ortodoksja është shumë strikte, por ata nuk e pranojnë kollaj ndryshimin. Kurse Islami është shumë i hapur. Të pranon ashtu si je. I varfër, i pasur, i bardhë i zi. Jam shumë i qetë si musliman.
Nga 6 fëmijët një djalë është katolik. Jeton në Portugali. Një vajzë është ortodokse. Jeton në Greqi. Katër fëmijët e tjerë janë muslimanë.
Tre vajzat që jetojnë me të në Tiranë mbajnë shami. Njëra prej tyre e ka bërë gjysh.
Për të jetuar Eduard Duralliu shet rroba te Uzina Dinamo.
Jam mirë, më tha.
Pimë një kafe, i thashë.
Jo tha, jam me Ramazan. Kur të mbarojë muaji takohemi. Do të them dhe histori të tjera.