Kreu i LIBRA, deputeti Ben Blushi ka prezantuar sot para deputetëve dy amendamentet e partisë së tij për zgjedhjet; numërimin elektronik dhe amendamentin për financimin e partive e kandidatëve.
Për këtë të fundit, duke dhënë shembullin e Francës, Blushi ironizoi me fushatën e deputetes Monika Kryemadhi në Lezhë, për të cilën tha se sheshi ishte shtruar me tapet, kishte ndriçim dhe kolltuqe prej ari.
“Ne kemi propozuar dy amendamente. Numërim elektronik, nuk ka asgjë të parealizueshme, në 100 pika ku numërohen vota është plotësisht e mundshme, ti heqim numëruesit e partive dhe të blejmë 100 makina, kjo zgjidh jo vetëm krizën, por jep besueshmëri, nuk është ofertë por nevojë për zgjedhje të besueshme. Me 100 makina që kanë kosto shumë më të ulëta se numëruesit ato janë të besueshme dhe plotësisht e përballueshme në aspektin teknik. Ky është amendamenti, detyrimi i kuvendit për të përcaktuar me ligj.
Amendamenti i dytë lidhet me financimet: zgjedhjet blihen përpara, me kaq shumë para që vijnë nga droga, kanabisi, krimi, Bankersi, se ai paguan deputetët apo partitë që e mbrojnë.
E dini sa ishte kostoja e zgjedhjeve në 2013? Më shumë se 50 milionë euro, nga dalin këto para? Kush i paguan, para që ikin nga taksat, donacione, janë para që dalin nga ekonomia për të sjellë 140 burra e gra, duhet të marrë fund, zgjedhjet më të shtrenjta se blihen.
Në Lezhë u mbush sheshi me tapet si me qenë dhomë gjymi e kolltuqe prej ari e drita e ndriçim, për ca duhen kaq shumë shpenzime, amendamenti duhet të vërë tavan shpenzimeve. Franca me ligj 0.6 euro për banorë, çdo shpenzim mbi këtë kuotë llogaritet dhe deputeti ndëshkohet.
Ne nuk duhet të harxhojmë më shumë se 42 milion lekë për parti. Gati tre milion lekë të vjetra për çdo deputet. Nuk është këtu Sadri Abazi se e di që do qeshte me këtë shumë. Për çfarë duhet të harxhojmë më shumë?
Ne mund të ecim pa lekë nëpër qytete, mund të takojmë njerëzit pa paguar. Këto janë shpenzime që nuk kemi pse i bëjmë. Ti kufizojmë me ligj. Kush do ti kontrollojë këto para? 3 partitë e vjetra nuk kanë në plan të kontrollojnë njëra tjetrën sepse kanë harxhuar 50 milion euro në fushatën e fundit.
Kemi parashikuar të ndërtohet një bord monitorimi i pavarur që mund të kontrollojë të gjitha shpenzimet e fushatës. KQZ këtë punë nuk e ka bërë dhe as ka për ta bërë, për shkak se është militante.
Ti kontrollojmë edhe me audit ndërkombëtar, pse jo. Ky është akti i parë i korrupsionit që bëjmë ne, duke blerë zgjedhjet me kaq shumë para. Ky debat duhet të hapet para zgjedhjeve, megjithëse nuk kam aspak besim se do kalohen këto amendamente.
Do shpresoj shumë që ata që nuk janë milionerë në këtë Parlament ti votojnë. Këtu po vijnë vetëm ata që kanë para“, tha Blushi.