Extra “Bënim çmos që mos e kuptonin që ishim shqiptarë”, Kledi Kadiu rrëfen...

“Bënim çmos që mos e kuptonin që ishim shqiptarë”, Kledi Kadiu rrëfen fillimet e vështira në Itali

Kledi Kadiu ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali. I larguar që prej viteve ’90 drejt shtetit fqinj, për balerinin shqiptar nuk ka qenë aspak i lehtë ky rrugëtim.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, në rubrikën “Special Edition By Arjola” me Arjola Shehun, Kledi ka treguar se në fillimet e tij bënte çmos që të mos tregonte nga vinte, pasi shqiptarët paragjykoheshin shumë.

“Bënim çmos që mos e kuptonin që ishim shqiptarë” kështu e nisi Kledi intervistën e tij duke theksuar faktin se shqiptarët atë kohë paragjykoheshin dhe mënyra e vetme për ti bërë ballë kritikave ishte me talentin dhe dëshirën për të arritur majat duke mbajtur të fshehtë origjinën.

“Vitet ’90 ishin pak ndryshe përsa i përket brezave të rinj. Normale që vështirësitë ishin shumë më të mëdha. Ishte një mentalitet jashtëzakonisht i kritikuar sa i përket shqiptarëve. Kjo është një fakt, unë e kujtoj shumë mirë kur bashkë me Ilir Shaqirin punonim në transmisionin Buona Domenica bënim çmos që mos thoshim, mos ta kuptonim që ishim shqiptarë. Edhe pse punonim në një televizion i cili ishte shumë i shikuar dhe i lakmuar”, tregon Kledi.

Ndër të tjera, balerini shqiptar ka rrëfyer se në fillim është detyruar të punojë edhe si murator për të përballuar jetesën në vendin fqinj. “Në Itali ishin sakrifica të tjera, sakrifica larg prindërve në moshë shumë të re, eksperienca e parë që nuk dije si ta përballoje jetën e një emigranti në fillimet e saja. Punimet e ndryshme jo vetëm në zanat, por dhe në punë të tjera për t’i bërë ballë jetës.

Kam punuar si murator, ndihmonim personat që kishin nevojë për të ndërtuar. Ja gjithë këto janë sakrifica, por këmbëngulja dhe pasioni kur ke për zanatin kalon çdo gjë dhe sot të duken sikur ke kaluar një urë me shumë pengesa të vogla”, tha Kadiu.