Anëtari i kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz, ka dhënë dorëheqjen nga qeveria e Benjamin Netanjahut, duke i dhënë një goditje kryeministrit, në një kohë kur ai po festonte shpëtimin e 4 pengjeve të mbajtur nga militantët e Hamasit në Gaza.
“Netanjahu na pengon të ecim përpara drejt një fitoreje të vërtetë në Gaza. Kjo është arsyeja pse po largohem nga qeveria e jashtëzakonshme sot”, tha Gantz në një dalje për mediat të dielën, në të cilën ai e përshkroi largimin nga qeveria si një vendim kompleks dhe të dhimbshëm.
Vendimi i Gantz, i konsideruar nga ekspertët si sfidanti kryesor politik i Netanhahut, përmbush një ultimatum që ai i dha kryeministrit muajin e kaluar, duke i bërë thirrje atij të hartonte një plan të ri për luftën kundër Hamasit deri më 8 qershor.
Gantz pritej të jepte dorëheqjen të shtunën, por e shtyu njoftimin pas lajmeve se forcat izraelite kishin shpëtuar katër pengje në një operacion që zyrtarët e Gazës thanë se la më shumë se 270 palestinezë të vdekur.
Dorëheqja e tij vjen pavarësisht se Netanyahu të shtunën i bëri thirrje Gantz të qëndrojë në kabinetin izraelit të luftës, duke thënë se kjo është koha për unitet, jo përçarje.
“Ne duhet të mbetemi të bashkuar brenda vetes përballë detyrave të mëdha që kemi përpara. I bëj thirrje Benny Gantz, mos e lini qeverinë e jashtëzakonshme. Mos hiqni dorë nga uniteti”, shkroi Netanjahu në Telegram.
Vendimi i Gantz nuk e vë qeverinë e Netanjahut në rrezik të menjëhershëm, pasi partia e tij nuk ishte pjesë e koalicionit të kryeministrit, i cili ruan një shumicë me 64 vende në Knesset me 120 anëtarë. Megjithatë largimi i partisë së Gantz e lë kabinetin e luftës, të ngritur katër ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, pa përfaqësim nga asnjë parti tjetër përveç Likud-it të Netanjahut. Përveç kryeministrit, i vetmi anëtar tjetër i qeverisë së urgjencës me fuqi vendimmarrëse është ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, gjithashtu nga Likud.
Vendimi i Gantz sakaq vjen në një kohë kur Netanjahu po përballet me thirrje në rritje nga aleatët perëndimorë të Izraelit dhe familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza për t’i dhënë fund luftës. Tetë muaj që nga fillimi i luftës, Izraeli ende nuk i ka arritur objektivat e tij të deklaruara pasi shumica e udhëheqjes së lartë të Hamasit mbetet e lirë dhe më shumë se 100 pengje ndodhen ende në enklavë.
Gantz, një ish-ministër i Mbrojtjes, tashmë 64-vjeçar, tha muajin e kaluar se Netanjahu duhet të paraqesë një plan që duhet të përfshijë eliminimin e Hamasit, kthimin e pengjeve nga Gaza, krijimin e një qeverie alternative në enklavë dhe kthimin e të zhvendosurve. Në prill, Gantz bëri thirrje që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shtator, përpara përvjetorit të një viti lufte, duke thënë se “shoqëria izraelite duhet të rinovojë kontratën e saj me udhëheqjen”.
Gantz shpesh e kalon Netanjahun për nga popullariteti, sipas sondazheve të opinionit. Një sondazh i botuar të premten nga gazeta izraelite Maariv tregoi mbështetje për Gantz në 42%, krahasuar me 34% të Netanjahut.