Beogradi do të jetë në shtetrrethim ditën e enjte, kur pritet të mbërrijë për një vizitë zyrtare presidenti rus Vladimir Putin. Për sigurinë e kreut të Kremlinit do të angazhohen mijëra policë serbë, qindra agjentë specialë rusë dhe avionë luftarakë.
Një mision kolosal për garantimin e sigurisë po zhvillohet në Beograd, në prag të vizitës së presidentit rus Vladimir Putin, ditën e enjte. Sipas së përditshmes “Politika”, të paktën 7 mijë policë serbë do të mobilizohen në kryeqytet për të garantuar sigurinë e liderit të Kremlinit, për të cilin është parashikuar gjithashtu një turmë masive njerëzish që do ta presë përpara katedrales ortodokse të Shën Savës.
Sipas mediave serbe, pjesëmarrësit pritet të jenë rreth 70 mijë vetë, të cilat do të nisen me qindra autobusë nga rrethet drejt kryeqytetit. Thuhet ndërkohë se në Beograd kanë mbërritur rreth 250 agjentë specialë rusë, të cilët do të angazhohen në mbikëqyrjen e itinerarit që do të përshkojë Putin, vendet ku do të zhvillojë takime, cilësinë e ushqimit, internetin dhe për të shmangur sulme eventuale me dronë.
Gjithashtu, për sigurinë e presidentit rus do të angazhohen edhe qitësa të zgjedhur, të cilët do të vendosen në çatitë e ndërtesave; ndërkohë, tre avionë luftarakë serbë të llojit “MIG” do të shoqërojnë avionin e Putin gjatë fluturimit në hapësirën ajrore serbe.