Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka dalë nga ambientet e SPAK, ku ndodhej prej rreth 10 orësh.
Beqaj është pyetur lidhur me koncesionin e Sterilizimit, për të cilin ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Pas përfundimit të deklarimeve në SPAK, Ilir Beqaj tha për mediat se bashkë me avokatin e tij kishte sugjeruar të bëhej një zgjerim në hetime.
“Që nga data 20 nëntor unë jam person nën hetim për çështjen e njohur tashmë të sterilizimit dhe e kam deklaruar edhe më parë që jam në dispozicion të drejtësisë. Jam përgjigjur pyetjeve me interes nga hetuesit kryesisht për ato gjëra që jam pyetur edhe më parë në korrik të 2022. Sot bashkë me avokatin tim, sugjeruam dhe kështu gjykoj në këndvështrimin tim, të bëhet një zgjerim në hetime. Në dosje ka disa referenca të KLSH, janë audituar edhe veprimet e mia, por gjatë kohës që është kryer auditimi nuk kam qenë ministër dhe nuk jam pyetur ndonjëherë nga audituesit”, tha Beqaj