Aktualitet Beqaj me pranga në duar, paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë

Beqaj me pranga në duar, paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dëshmitari i radhës i thirrur në Komisionin Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up.

Beqaj është në burg i akuzuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe gjithashtu nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për “Sterilizimin”.
Në lidhje me “Sterilizimin”, Prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri Beqaj nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej Gushtit 2023 ndodhen në burg.

Sipas Prokurorisë së Posaçme ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.