Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe aktualisht deputet i PS, në një intervistë për emisionin ‘Në Fokus’ në TvT thotë se rritja e kapacitetit të testimeve nuk do të sillte ndonjë ndryshim të situatës. Sipas tij qytetarët e kanë shpërdoruar situatën e lirimit të masave dhe duhet të bëjnë kujdes, sepse spitale mund të happen pafund, por po shkojmë drejt ezaurimit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë punuar prej 5 muajsh pa ndërprerje.
“Shumë apo pak teste kjo është relative. Edhe nëse do kishte teste më shumë çfarë do të ndryshonte? Unë besoj se njerëzit që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, që kanë nevojë për t’u intubuar nuk do ishte më i madh edhe në rast se testet do ishin më të shumta.
Kjo është një histori e kapërcyer. Numri i testeve nuk ka një vlerë më të madhe. Ajo që bën përshtypje është se Shqipëria ka një përqindje të lartë të rasteve të reja në raport me testet”, deklaron fillimisht Beqaj.
Më pas ai flet për një ezaurim të mjekëve, ç’ka mund të sjellë edhe një mbyllje përsëri të vendit, por kjo gjithsesi mbetet e vështirë.
“Unë vetë mendoj se nuk mund të ketë më mbyllje. Sigurisht që ezaurimi i kapaciteteve spitalore mund të na detyrojë të bëjmë edhe shtrëngesa të paimagjinueshme. Duhet përgjeshmëri. Mund ti kërkojmë çdo gjë qeverisë, por një gjë nuk e zgjidhim dot. Nuk bëjmë dot rritje të numrit të mjekëve dhe infermierëve. Mund të hapim edhe COVID 5 dhe 6, por mjekë dhe infermierë pa kufi nuk bëjmë dot.
Edhe sot janë njerëz që prej 5 muajsh jetojnë me një ngarkesë të jashtëzakonshme”, deklaroi Beqaj.
Ndërkohë për ecurinë e reformës zgjedhore Beqja deklaroi:
“Unë besoj se opozita joparlamentare duhet të jetë e kënaqur se çfarë është pranuar me 5 qershor sot është bërë realitet. Këto ndryshime janë kërkuar nga miqtë dhe partnerët tanë. Në vijim të marrëveshjeve kemi edhe angazhime të tjera me opozitën parlamentare të cilët duhet të shohim edhe disa elementë të rinj. Unë nuk besoj se opozita jashtëparlamentare do të jetë aq naive sa të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur prej dy vitesh”.