Ekonomi Berat, investim në nënstacionin elektrik të Uznovës, mbështetje paketës së “100 fshatrave”

Berat, investim në nënstacionin elektrik të Uznovës, mbështetje paketës së “100 fshatrave”

Ndërhyrjet në infrastrukturën elektro-energjitike, me synim rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të zonave rurale dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët, por edhe për turistët e huaj, kanë ndikuar pozitivisht gjithashtu në mbështetje të industrisë së turizmit.

Një ndërhyrje e tillë, me një investim të rëndësishëm është kryer nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në nënstacionin elektrik të Uznovës në Qarkun e Beratit, i cili garanton jo vetëm cilësi në furnizimin me energji, por redukton edhe humbjet në rrjet.

Nga ky investim përfitojnë rreth 500 abonentë përfshi edhe fshatit Roshnik, i cili është pjesë e projektit “100 fshatrat”, të hartuar nga qeveria shqiptare me synim nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në këto zona.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në nënstacionin elektrik të Uznovës ku u njoh nga afër me investimin e realizuar. Drejtori i OSHEE për rajonin Berat, Indrit Toska bëri të ditur se krahas ndërtimit të Fiderit të ri 20 kv është bërë e mundur edhe ndërtimi i rrjetit të tensionit të ulët.

“Sapo kemi mbaruar investimin e fiderit 20 kilovolt që shtrihet në Roshnik. Është një investim totalisht i OSHEE-së me vlerë 67 milionë lekë nga i cili preken 500 abonentë dhe shtrirja ka mbaruar edhe me kabullin ABC, që është kabulli i tensionit të ulët që rrit perfomrancën e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe redukton humbjet e energjisë”, u shpreh drejtori i OSHEE për rajonin Berat.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku tha se edhe ky investim është në vazhdën e atyre të mëparshëm të kryer nga ana e OSHEE-së me qëllim nxitjen e turizmit në zonat turistike apo në zonat e planifikuara për të qenë të tilla në të ardhmen.

“Ajo që ne vlerësojmë në investime të tilla është mënyra strategjike si ata janë zhvilluar. Ky investim ndikon në jetën e 500 abonentëve, thënë ndryshe, 500 familjeve në zonën e Roshnikut i cili është një nga fshatrat e paketës së 100 fshatrave. Pra ky investim jo vetëm përmirëson cilësinë e jetesës së banorëve por ndihmon dhe nxit paketën turistike të 100 fshatrave. Kjo është diçka që ne e aplikojmë përgjatë investimeve tona në OSHEE pikërisht për të nxitur strategjinë e turizmit në zonat turistike apo në zonat të cilat janë planizuar për të qenë të tilla në të ardhmen”, u shpreh Balluku.

Duke u ndalur tek investimet e realizuara nga ana e OSHEE në qarkun e Beratit, ministrja Balluku theksoi se kryesisht në vitet e fundit ato kanë qenë të përqendruar në zonat rurale, të cilat ka qenë zona që ka pasur më shumë nevojë për t’u investuar, por sigurisht pa lenë jashtë vëmendjes dhe qytetet.