Cristiano Ronaldo ka rritur entuziazmin te Manchester United, që këtë sezon do të ketë në llogari një numër të madh golash nga portugezi. Gjithsesi për trajnerin Ole gunnar Solskjaer nuk do të jetë e lehtë të menaxhojë skuadrën, pasi ka në stol shumë alternativa.
Kjo do të jetë pjesa më e vështirë e punës së tij dhe diçka të tillë e thotë edhe Dimitar Berbatov, i cili në të shkuarën ka veshur fanellën e “Djajve të kuq”. Bullgari ka dhënë një intervistë për Betfair dhe mes të tjerash është shprehur:
“Dy ndeshje, tre gola për Cristiano Ronaldon. Nuk jam i befasuar nga ndikimi që ai ka pasur tek United dhe do të përmirësohet edhe më shumë gjatë sezonit. Askush nuk mund ta vërë në dyshim aftësinë e tij për të shënuar dhe atë që i sjell ekipit.
E mirëpritën në Manchester dhe ua ktheu me dy gola. Tani do të jetë interesante se si Solskjaer do të ruajë ekuilibrat në dhomat e zhveshjes. Ai do të duhet të vendosë se si do të përdorë lojtarë si Cavani dhe Martial. Tani bëhet e vështirë të menaxhosh një ekip.
Cavani ndoshta nuk është i kënaqur. Ai bëri një sezon të parë të mirë, por tani ai e ka humbur rëndësinë në ekip dhe fanellën me numrin 7. Shpresoj që Ole të ketë një bisedë të sinqertë me të.
Roli i trajnerit është të zgjedhë më të mirët, por lojtarët duan të luajnë dhe nuk janë të lumtur kur nuk përzgjidhen”.
United e ka nisur mirë kampionatin, duke u renditur në vendin e parë me 10 pikë, po aq sa kanë grumbulluar edhe Chelsea, Liverpool dhe Everton.