Policia ka ndëshkuar pesë persona pasi hapën bizneset në një kohë që është e ndaluar, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Këta persona hapën bizneset e tyre, berberhane, bar-kafe në një kohë që është e palejueshme.
Përmes një njoftimi për mediat, policia thekson se me gjithë paralajmërimet e qeverisë, autoriteteve shëndetësore dhe policisë së Shtetit për të mbajtur të mbyllura aktivitetet që rrezikojnë përhapjen e Covid-19, shumë prej atyre që ushtrojnë biznese të vogla nuk i janë bindur këtyre urdhrave.
Policia ka kapur në flagrancë ditën e sotme në qytetin e Durrësit dhe në Tiranë aktivitete të hapura si bar-kafe, berberhane apo edhe kapjen në flagrancë të personave që shisnin maska mbrojtëse ndaj koronavirusit në të zezë.
Policia ka pezulluar aktivitetet e këtyre bizneseve, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë shitësit e maskave mbrojtëse.
Gjithashtu, u bë me dije se janë proceduar administrativisht dhe penalisht 5 shtetas.
Në këtë kuadër, në Durrës, shërbimet e Policisë, gjatë monitorimit për zbatimin e masave kufizuese nga subjektet të cilëve nuk u lejohet të ushtrojnë aktivitetin, sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, kanë konstatuar për herë të dytë në lagjen 12, Durrës, shtetasin N. K., i cili ushtronte aktivitetin në kundërshtim me këtë Akt.
Ky shtetas ishte konstatuar nga Patrulla e Përgjithshme edhe më datë 7 prill, duke ushtruar aktivitetin e berberit në mënyrë të paligjshme. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës u mor masa e pezullimit të aktivitetit për 6 muaj.
Në Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H. dhe D. K., të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Këta shtetas janë proceduar penalisht, pasi në rrugën “Myslym Shyri“, shtetasi E. H. është kapur nga shërbimet e Policisë duke tregtuar maska dhe doreza pa faturë tatimore, të cilat ia kishte dhënë për t’i shitur shtetasit D. K.
Ndërkohë, në Elbasan është proceduar penalisht, për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi Z. Ç., banues në Elbasan, pasi në lagjen “Aqif Pasha”, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit konstatuan të hapur lokalin “Bar-Kafe” dhe brenda u gjetën disa persona që pinin kafe.
Po në Elbasan është proceduar penalisht dhe administrativisht shtetasi D. P., banues në Elbasan, pasi u kap duke ushtruar i pa pajisur me licencë, aktivitetin në lokalin e tij ”Bar-Kafe”, në lagjen “Sulë Paprri”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që t’i mbajnë mbyllur lokalet e tyre, në zbatim të Aktit Normativ të datës 15.03.2020, pasi në të kundërt do të ndëshkohen në bazë të këtij Akti.
Njëkohësisht apelon për të gjithë administratorët e njësive tregtare që të mos abuzojnë me çmimet, pasi kontrollet do të jenë më të shtuara dhe në rast konstatimi të abuzimit me çmimet, do përballen me ligjin.