Politika “Bëri fushatë kundër qeverisë Kurti”, Gërvalla sulmon Ramën: Nuk kishte asgjë vëllazërore...

“Bëri fushatë kundër qeverisë Kurti”, Gërvalla sulmon Ramën: Nuk kishte asgjë vëllazërore në atë mes

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka quajtur “fushatë kundër Qeverisë Kurti” fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në seancën e përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Sipas Gërvallës, Rama e keqpërdori foltoren e Kuvendit të Kosovës.

“Fjalimi i zotit Rama nuk u përshtat aspak me atmosferën që kishim. Ishte një fjalim që e keqpërdori shumë mikpritjen e Kosovës, të tij dhe të delegacionit të tij. Mendoj që nëse ai vjen për të bërë fushatë, duhet të vijë dhe ta bëjë këtë në mënyrë transparente kundër Qeverisë, pa keqpërdorur foltoren e Kuvendit”.

E pyetur lidhur me kërkesën e Ramës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Gërvalla pretendoi se kjo nuk ishte këshillë vëllazërore.

“Nuk kishte asgjë vëllazërore në atë mes, sepse brenda familjes njeriu konsultohet me anëtarët e saj dhe nuk del para mikrofonave për të dhënë këshilla vëllazërore. Sigurisht, ishte një formë shtimi të presionit ndaj Republikës së Kosovës për të implementuar njëanshëm”.

Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë e mbajtën të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë.