Në mbyllje të vitit 2021, bashkë me urimin drejtuar shqiptarëve, një bilanc bëri edhe Sali Berisha. Ish-kryeministri i sheh 12 muajt që lamë pas si një medalje me dy anë. Njërën e cilëson të errët dhe flet për fatkeqësi kombëtare.
“Mandati i tretë i narko-shtetit në Shqipëri, zgjedhjet më të rrënuara në historinë e vendit, aktet madhore të shkelmimit të interesit kombëtar nga regjimi aktual, me një politikë fund e krye antishqiptare: të ashtuquajturin Ballkan i hapur”, tha Berisha.
Ka edhe një element të tretë që rendit në anën e errët të 2021, ku përgjegjës bashkë me Edi Ramën, bën edhe Lulzim Bashën: “Përpjekja e hapur për asgjësimin e pluralizmit politik shqiptar, jo vetëm nëpërmjet dhunimit masiv të procesit elektoral, por edhe nëpërmjet marrjes peng të forcës më të madhe të opozitës shqiptare”.
Pikërisht te zhvillimet brenda forcës më të madhe të opozitës, Sali Berisha gjen edhe anën ndritur të medaljes për vitin 2021: “Muajt e fundit të vitit ishin muajt e mrekullisë së lirisë, ishin muajt në të cilat, si kurrë më parë, sovrani mori në duar fatin e opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri”.
Kjo shpresë e kthyer, sipas Berishës, e bën vitin 2021 edhe një vit të mrekullisë shqiptare, me urimin për një tjetër vit më të mirë.