Politika Berisha, akuza ambasadores amerikane: Yuri Kim ka qenë promotore e tenderave korruptivë...

Berisha, akuza ambasadores amerikane: Yuri Kim ka qenë promotore e tenderave korruptivë pa garë

Kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim duke thënë se ajo ka bërë përpjekje anti-diplomatike për të shkatërruar opozitën.

Në një deklaratë për mediat ai tha ndër të tjera se  Kim ka qenë promotore e tenderave korruptivë pa garë.

Ai përmendi disa tendera, ku mes tyre tha se Kim ka mbrojtur koncesionin për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në gaz, që kushton 120 milionë euro, kur ndërtimi kushtoi 110 milionë.

“Në mbështetjen e verbër të këtij regjimi, Yuri Kim ka qenë një lloj McGonigal i hapur.

Në dy aspekte, e them dhe do ta them. Në përpjekjen e saj antikushtetuese dhe antidiplomatike për të shkatërruar opozitën. Dhe kjo është në një zinxhir deklaratash. Por ajo mendoi se unë mund të shantazhohesha. Ndër të tjera, i thotë një deputeti të PD-së, si mesazher: shko dhe thuaji, nëse deri nesër Sali Berisha nuk pranon këtë ose atë, ndaj fëmijëve të tij dhe atij, do merren këto masa.

I përgjigjemi, mos pritni nesër, merrini sot. Nëse u kujtohet, Lul Brava u thoshte bashkëpunëtorëve të tij se do e pësojnë keq fëmijët e tij apo ai. Ajo ka tejkaluar çdo limit në këtë aspekt. Por ajo ka qenë promotore e bizneseve të padrejta, promotore e bizneseve pa tender të hapur dhe ato janë baras me korrupsion. Ajo ka mbrojtur koncesionin e Skavicës pa tender. Ajo ka mbrojtur koncesionin e Butrintit pa tender. Ajo ka mbrojtur koncesionin për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në gaz, që kushton 120 milionë euro, kur ndërtimi kushtoi 110 milionë. Unë kam punuar shumë që kompanitë të vijnë në Shqipëri, por nuk kam pranuar kurrë të vijnë pa tender të hapur”, tha Berisha.