Në një konferencë për mediat, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Pandeli Majkos, për të cilin ka thënë se sipas tij, është kriminel i madh elektoral në Kukës pasi pretendon se është përgjuar nga SHISH duke bërë pazare për blerje votash në tavolinë.
Teksa komentonte largimin e Majkos nga Kukësi dhe kthimin e tij si drejtues politik në Tiranë, kryedemokrati shprehet se Majko shkoi përsëri në vendin e krimit pasi thotë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë me Erion Veliajn, të cilin e quan “njeriun më të shpifun që ka pasur Tirana ndonjëherë”.
Sali Berisha: Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës, është i regjistruar në tavolinë me regjistrues të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty. Dosja është edhe tek ata, por edhe tek unë. Aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe i thotë që “ti në Has do të kërkosh shtyllat centrifugale dhe do i marrësh në një kompani buzë Erzenit”. Ata kushtonin 40 deri në 60 mijë Euro, por thotë do të faturohen 800 mijë Euro, nga të cilat do i dërgohen 300 mijë Tropojës për të blerë vota, 200 mijë në Durrës dhe tjerat do të përdoren në Kukës.
Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet. Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë. Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar. Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin. Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është. Pra, ky është Majko.
Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie.