Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka drejtuar 16 pyetje Edi Ramës në dy javët e fundit lidhur me pronat e familjarëve të tij në Vuno, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij.
Pavarësisht se shefi i qeverisë ka mohuar akuzat dhe ka shpjeguar se nuk kërkon të marrë asnjë pronë të trashëguar, shefi i opozitës vijoi edhe këtë të premte listën e pyetjeve.
“A ke angazhuar o hajduti i Gjipesë, arkitektin e famshëm Vini Maas për studimin e 224 mijë metra katrorë tokë vjedhur në Gjipe? Në rast se po, në ç’vit e ke angazhuar atë a e ke dhe dërguar në Gjipe për të studiuar tokën e vjedhur dhe kur e ke dërguar atë?”
Lideri i opozitës kërkon shpjegime nga Rama dhe për vendin ku ka orientuar arkitektin për të hartuar projektin.
“Arkitektin e famshëm Vini Maas, e dërgove atë diku lart në rripa malesh dhe shumë larg nga buzëdeti apo buzë ujit, fiks rrëzë kamionit mahnitës të Gjipesë? A ka bërë ndonjë projekt, arkitekti i famshëm Ëiny Maas për zhvillimin e zonës dhe për resort turistik në tokën e vjedhur të gjirit të Gjipesë?”
Në listën e pyetjeve, Berisha kërkon shpjegime se me çfarë parash e ka paguar arkitektin.
Edhe pse premton se do të vijojë t’i kërkojë llogari Ramës për pronat në Gjipe, Berisha shprehet se nuk ka shpresë që kreu i qeverisë do t’i kthejë përgjigje.