Sali Berisha deklaroi këtë të premte se me qëndrimin e tij po mbron shtetin ligjor dhe Kushtetutën. Ai theksoi se përndryshe shkon në gjykatë pa asnjë problem.
“Garantoj çdo qytetar, se me qëndrimin tim po mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, përndryshe do të shkoj në gjykatë pa asnjë problem, madje dhe me një platformë sqaruese dhe të detajuar për të zbardhur të vërtetat dhe të errësuara qëllimisht, pavarësisht nëse jemi para gjykatës, prokurorisë, parlamentit apo në sheshe publike”, tha Berisha.
Sipas Berishës, kjo që po ndodh me të është rasti i parë në 32 vite pluralizëm politik ndaj një deputeti. Po ashtu, përsëriti thirrjen ndaj Ramës për të votuar ndryshimet në Kushtetutë që i heq imunitetin deputetëve.
“Është rasti i parë në 32 vite pluralizëm politik, që ndaj një deputeti merren masa të tilla pa miratimin e Kuvendit. Unë dhe deputetët e opozitës jemi gati të votojmë nesër për heqjen e kësaj dispozite nga Kushtetuta. Megjithatë, nuk do të pranojmë kurrë që Edi Rama dhe gjyqtarët apo prokurorët e tij politikë të shkelin Kushtetutën”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se nuk e njeh vendimin e gjykatës që e detyron të paraqitet dy herë në muaj pranë shërbimit të provës.
Ish-kryeministri deklaroi se vendimi i GJKKO është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk është respektuar imuniteti i deputetit dhe është shmangur parlamenti.
Berisha la të kuptohet se nuk do të shkojë të paraqitet pranë shërbimit të provës, në bazë të masës së sigurisë që i është caktuar nga gjykata.
“Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme”, tha ish-kryeministri.
Berisha gjithashtu e cilësoi SPAK-un të dirigjuar nga kryeministri Rama. Si shembull për këtë ai pretendoi sekuestrimin e shpejtë të pronave të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të tij.
Berisha akuzoi se në rastin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, SPAK përdori një standard të dyfishtë, ku ai u lejua të zbrazte llogaritë bankare përpara se të bëheshin sekuestrimet.
“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij.
Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi.
Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston.
Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i.
Tani thanë se njerëzit do pyesin se këtij ia sekuestruan të gjitha pronat, dhe ato që ka pasur kur ata kanë punuar si zyrtarë në OKB, kanë pasur një rrogë më të madhe dhe kanë blerë prona, edhe ato të gjitha ia ka sekuestruar SPAK i partisë.
Kurse për Pëllumb Gjokën u kujtuan dje. Dje u kujtuan, kurse për këtë u kujtuan brenda një ore. Flet vetë.
Ato që bëhen nën presion nuk janë kurrë pozitive. Ato nuk prodhojnë kurrë pozitivitet.
Pëllumb Gjokës iu dha mundësia gjatë kësaj periudhe të zbrazë çdo gjë. të gjitha, llogaritë dhe çfarë kishte.
Dhe kjo ishte e qëllimshme. Se Pëllumb Gjoka, përveçse mik i Edi Ramës, është edhe mik i Taulant Ballës. E kam deklaruar këtu se ka udhëtime në Itali me Taulant Ballës.
Se gjëja e parë, Pëllumb Gjokës i bllokoheshin të gjitha llogaritë.
Përkundrazi, kjo sekuestro u vendos pasi ai zbrazi të gjitha llogaritë. I çoi paratë ku deshi”, tha Berisha.