Sali Berisha ka thënë se brenda selisë të Partisë Demokratike ka persona të armatosur që kanë kërcënuar anëtarët e Forumit Rinor.
Ndërkohë bëhet e ditur se në polici ka vetëm një denoncim për hapje të zyrës me forcë.
Deputetja demokrate, Flutura Açka, ka replikuar në distancë në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se në selinë e Partisë Demokratike, janë vendosur persona të armatosur dhe për këtë arsye ai doli nga selia e PD-së.
Në një postim në Facebook të shoqëruar edhe me foto nga mbledhja e kryesisë ajo thotë se: “Armët tona janë fjalët dhe zemrat demokrate. Me Inën, Flamurin dhe Orjolën”, shkruan Açka.
Më herët, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë hyrë në ambientet e selisë blu. Ata kanë mbajtur mbledhjen e Kuvendin Kombëtar për Rithemelimin e Partisë Demokratike. Berisha tha se u mor vendim për të organizuar një referendum të anëtarësisë së partisë për largimin e Lulzim Bashës nga partia.
“Kjo javë revolucioni ka për detyrë kryesore referendumin e anëtarësisë për ratifikimin e vendimit të Kuvendit të Partisë për shkarkimin e ‘peng-Bashës’ apo deputetit Basha. Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin”, tha Berisha, duke shtuar se “ish-kryetari Basha ka kryer akte në Partinë Demokratike që ngjiten në nivelin e krimit elektoral”.
Në fjalën e tij pas mbledhjes, ai tha se “pluralizmi politik po rikthehet në Shqipëri” dhe e quajti Kuvendin e 11 dhjetorit si më demokratikun në historinë e Partisë Demokratike.
Ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që janë të mirëpritur në PD, dhe i ftoi të bashkohen duke thënë se kontributi i secilit do të respektohet.