Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga selia blu se deputeti Enkelejd Alibeaj, me padinë që i bëri Partisë Demokratike për vendimin e 25 marsit, pushon së qeni kryetar i grupit parlamentar.
“Me vendimin për të paditur Partinë Demokratike, për mua ai pushon së qeni kryetar i grupit parlamentar. Nuk është fjala për mendim, por për veprim. Veprimi është shumë i gabuar. Nuk ka asnjë bazë. Do të thotë të frenosh një proces që s’ka dyshim asnjë shqiptar. Nuk ka asnjë tagër. Ai e konsideron veten kryetar i PD, në një kohë kur ai nuk ka asnjë funksion të tillë”, tha Berisha pasi doli nga selia e PD ku po mbahej mbledhje e grupit parlamentar, që ka zgjatur më shumë se 4 orë.
Gjatë diskutimeve, Berisha i ka kërkuar Alibeajt që të japë dorëheqjen si kryetar grupi.
Me vendimin e datës 25 mars Gjykata e Tiranës pranoi Kuvendin Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor, që u thirr nga Sali Berisha.
Ndërkohë, Blerina Muça është gjyqtarja që do të shqyrtojnë ankimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj kundër njohjes së Kuvendit të 11 dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit.