Politika Berisha apel demokratëve për 11 shkurtin: Të bëjmë gjithçka për protestën më...

Berisha apel demokratëve për 11 shkurtin: Të bëjmë gjithçka për protestën më të fuqishme të Shqipërisë ndër dekada

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët e degëve 8 dhe 10. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kryedemokrati Berisha ka dhënë disa udhëzime për protestën e datës 11 Shkurt të thirrur nga opozita.

Kryedemokrati Berisha ka theksuar se duhet bërë gjithçka për protestën që sipas tij do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria dhe Tirana ndër dekada teksa ka shtuar se këtë protestë po e presin shqiptarët nga të 4 anët e botës kudo ku janë.

“Duhet të shpëtojmë vendin. Të shpëtojmë Shqipërinë dhe pluralizmin. Edi Rama do të marrë atë që meriton. Ne duhet ta bëjmë atë një shqiptar të mallkuar për Shqipërinë. Ndaj dhe këto 2 ditë që kanë mbetur pavarësisht nga kushtet klimaterike, të bëjmë gjithçka për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria ndër dekada. Këtë protestë presin shqiptarët nga të 4 anët e botës kudo që janë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se deputetët e PD-së nuk ikin nga Parlamenti teksa ka shtuar se pavarësisht të gjithave, Parlamenti do të funksionojë si brenda, ashtu edhe jashtë tij.

“Bëjnë gjithçka që ne të ikim nga Parlamenti, por ne nuk ikim nga Parlamenti, nuk jemi ata që ikim ne. Ky ka shndërruar Parlamentin në një turp që nuk ka ekzistuar kurrë. Ne në Parlament do të qëndrojmë me të gjithë forcën tonë. Parlamenti ka nevojë për praninë e qytetarëve, do të bëheni gati në çdo rast. Parlamenti do të funksionojë brenda dhe jashtë. Parlamentin nuk mund ta shuajë ata. Parlamenti është shtyllë. Kjo është situata, ndaj dhe duhet të marrim çdo masë. Opozitë do të thotë sakrificë dhe unë kam besim të plotë se i madhe dhe i vogël, çfarë jemi popull opozitar do të ngrihemi në një betejë, e cila do të japë fitore të sigurtë, të ju kthejë shqiptarëve atë të drejtë që kanë të gjithë popujt e Ballkanit”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është ndalur tek çështja e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së “McGonigal” për të cilën ka thënë që sipas tij është një aferë botërore që ka tronditur fushën e sigurisë për SHBA-të, NATO-n dhe vendet e lira në tërësi.

Berisha akuzoi Ramën se bën gjithçka për të ruajtur karrigen e tij teksa shton se Rama nuk e lëshon pushtetin pasi sipas kryedemokratit, ai njeh vetëm gjuhën e forcës dhe të frikës.

“Afera Rama-McGonigal, është një aferë botërore, që ka tronditur në fushën e sigurisë, jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale, por ka tronditur këtë fushë për SHBA-të, vendet e NATO, dhe vendet e lira në tërësi. Aktin që ka bërë Edi Rama, mund ta ndërmerrte vetëm një fuqi armiqësore ndaj SHBA. Vetëm një vend armik mund t’i lejonte vetes, t’i korruptojë njeriun më të çmuar të kundërzbulimit, vendit me përgjegjësi më kryesore për sigurinë e botës. Pra në përmasa kjo tejkalon çdo lloj imagjinate për një vend partner, vend të lirë.  Secili nga ju në rast se i shtroni pyetjen vetes dhe duhet të ja shtroni, si ka mundësi që ky njeri të ja lejojë vetes një akt të tillë. Ka vetëm një përgjigje, në keqësinë e tij, Edi Rama nuk njeh asnjë kufi. Nuk ka asnjë normë, asnjë virtyt. Njeriu që haptas deklaron se është i aftë të kryejë akte që kurrë njerëzit me moral normal nuk i kryejnë, do të thotë i lejon vetes çdo lloj akti në funksion të pushtetit të vet. Kjo përbën një fatkeqësi të madhe, të jashtëzakonshme, për një komb dhe shoqëri.  Kur një kryeministër i lejon vetes çdo akt dhe veprim për të ruajtur karrigen e tij, ai nuk e dorëzon pushtetin në asnjë mënyrë. Ai njeh vetëm një gjuhë, gjuhën e forcës, gjuhën e frikës dhe ai përndryshe nuk ikën”, tha Berisha.

Berisha theksoi se viktimat kryesorë të asaj që e quan ”afera Rama-McGonigal” janë demokratët, opozita e pluralizmi.