Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim ditën e sotme me demokratët dhe intelektualët në qytetin e Shkodrës.
Takimi u zhvillua në Pallatin e Sportit të qytetit dhe u krye me rastin e 31-vjetorit të themelimit të degës së PD-së në Shkodër.
Disa ditë më parë, Sali Berisha tha se nuk do të ketë më Foltore, por takime në qytete të ndryshme të vendit.
Berisha: Basha është turpi i dheut, e pret vrima e miut
Gjatë fjalës së tij lideri historik i demokratëve iu bëri thirrje demokratëve që mbështesin sadopak Lulzim Bashën që të heqin dorë nga ai sepse ai “është turpi i dheut”. Të njëjtën thirrje, Berisha e pati edhe për deputetët ndërsa shtoi se Bashën e “pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur”.
“Nuk ka ndodhur dhe nuk ndodhin kurrë në një vend të lirë zhvillime të tilla. A mundet një shtet të servirë për opozitë njeriun që e rrethon me banditë dhe policë, njeriun me të cilin ndan aferat korruptive, njeriun me të cilin i mbyll dosje krimi? Kjo s’mund të ndodhë në asnjë vend tjetër përveçse në Shqipëri. Iu drejtohem atyre demokratëve që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për “Lulzim Bravën”. Hiqni dorë prej tij, hiqni dorë se ai është turpi i dheut, është turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni një minutë e më parë me qytetin tuaj. Bashkohuni me sakrificën vuajtjen, qëndresën, heroizimin, vizionin e atyre që ju votuan ju. Ndahuni nga “Lulzim Brava” se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha: 8 Janari, vetëm fillimi
Sali Berisha tha nga Shkodra se revolucioni që ka nisur është i pandalshëm dhe paqësor. Ai u dha fjalën demokratëve se 8 Janari është vetëm fillimi dhe se protestat nuk do të ndalen gjer në fitore. Sipas Berishës, demokratët më 8 Janar nuk kërkonin asgjë tjetër veçse që të nxirrnin banditët që i kanë pushtuar shtëpinë.
“Ky është një revolucion paqësor, por është revolucion i pandalshëm. Demokratët më 8 Janar nuk kërkonin asgjë tjetër, por atë që do bënte çdo polici e një vendi të lirë, të nxirrnin nga shtëpia e tyre banditët që i ishin pushtuan shtëpinë. Cili është ai qytetar që sheh shtëpinë të mbushur me banditë dhe nuk lufton për nxjerrjen e tyre nga shtëpia. 8 Janari është vetëm fillimi, ju jap fjalën unë ju, protestat tona nuk ndalen deri në fitoren tonë. Ata të cilët mbështesin Edi Ramën dhe Bashën për të marrë peng pluralizmin do të dështojnë. E ardhmja është e jona, e burrave dhe grave që luftojnë për dinjitet njerëzor dhe kombëtar”, tha Berisha.
Berisha tha ndër të tjera se ai dhe demokratët nuk do ta japin kurrë PD-në dhe nuk do të shkelmojnë interesat e Shqipërisë.
“Mos kini mëdyshje, kurrë ne nuk japim pluralizmin, kurrë nuk japim demokracinë, kurrë nuk japim PD-në, kurrë nuk shkelmojmë interesat e Shqipërisë. Ndaj dhe ju ftoj, nga kjo ditë, flakën, dritën e këtij revolucioni ta çojmë në çdo vatër shqiptare, të rikthejmë dhe njëherë fitoren plebishitare të vitit ’92”, u shpreh Berisha.