Ish-kryeministri Sali Berisha, ka vijuar me akuzat ndaj kryetarit Lulzim Basha në takimin e radhës me demokratët në Lushnje. Ai u shpreh se Basha nuk ndez shpresë as tek vetja e tij “si një njeri i fikur që është”.
Po ashtu, Berisha shtoi se Basha tradhtoi mbështetësit e PD dhe e ka kthyer selinë blu në ministri të narkoshtetit.
“Më duhet të të të them se si një njeri i fikur që je ti nuk mund të ndezësh shpresë as tek vetja jote dhe kjo është e vërteta. Ish-kryetari apo kryetari pa parti eci 8 vite nga disfata në disfatë. Pas 8 vitesh, ne si demokratë dolëm sipas numërimit që u bëri Edi Rama dhe grabitjes së votave, me 74 mijë vota më pak se viti 2013. Këtë vit ndërkohë që keni derdhur lumenj djerse, keni punuar me vetëmohim, por problemi është se në fakt, kryetari pa parti e shndërroi këtë parti në shoqatë, për të, jo për ju. Deklaroi me 26 Prill, masakër elektorale. Ajo ishte e vërtetë miqtë e mi. Nuk e mohoj, nuk them se i kemi fituar zgjedhje, por një gjë është e sigurt, Edi Rama nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet. Nuk mund të quhet fitore me sistemin e patronazhistëve, sistemin më të papranueshëm i vendosur me sistemin skllavo-pronar dhe i aplikuar nga diktatura e Enver Hoxhës. Nuk mund të quhet fitore, ajo në të cilën t’i përdor të gjithë shtetin për të rrëmbyer votën. Përdor të gjithë buxhetin për të blerë votën. Vetëm në rrethet e goditura nga tërmeti në Prill, Durrës, Kavajë, Shijak dhe Krujë janë dobësuar nga thesari i shteti 91 milionë Euro.
Bandat ishin po kaq të pamëshirshme. do të kontaktoni dhe të pyesni numëruesit tanë në Pallatin e Sportit në Elbasan. Gra heroike, dhe djem heroikë të braktisur. Çfarë bënin kriminelët aty? Një gangster i binte pallatit kryq e tërthor dhe terrorizonin vajzat e reja që numëronin. Mos guxo të thuash PD do nxjerrësh vetëm votën PS. Ajo ishte krejt e pambrojtur. Nuk kishte kush t’i dalë zot sepse ky ishte organizimi. Ky ishte numërimi i votave në Elbasan. A mund ta pranojmë një gjë të tillë? Ky është një poshtërim që na ka bërë Edi Rama dhe do të përgjigjet deri më një. Koha na thërret. Të bashkohemi, të ngrihemi në këmbë. Kryetari pa parti jo vetëm që nuk mbrojti votën, jo vetëm që nuk denoncoi, nuk thirri partinë ta nxirrte në shesh në mbarë Shqipërinë për këtë terror, por vrapoi si tinëzar pas karriges së tij se pati frikë se po i marrin karrigen. Ju tradhtoi ju, votën dhe mundin tuaj. Tradhtoi PD-në! Sot në vend të luftës për masakrën elektorale, ka marrëveshjen për të shndërruar PD në ministri të narkoshtetit. A vjen ai tek ju? Nuk vjen dot ai, ka frikë nga ju. Një njeri që ka frikë nga j si do e përmbysë Edi Ramën? Ai është peng i Edi Ramës, dhe vetëm peng i tij”, tha Berisha.