Politika Berisha bëhet gati për rikthimin në selinë e PD: Basha “plaçkë tregu”...

Berisha bëhet gati për rikthimin në selinë e PD: Basha “plaçkë tregu” në fletushkën e Alibeajt

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se shumë shpejt do të rikthehet në selinë e Partisë Demokratike.

Duke folur pas mbledhjes së Grupit të Rithemelimit, ai tha se PD do të shndërrohet në forcën politike më të fortë që vendi ka pasur ndonjëherë.

“Selia është e PD dhe nuk ka asnjë diskutim, jemi në proces e sipër të gjitha vendimeve që do të merren. PD do të bashkohet, do të shndërrohet në një forcë politike që nuk e  ka pasur Shqipëria ndonjëherë”.

Lidhur me qëndrimin e shprehur të Alibeajt një ditë më parë në emër të Grupit Parlamentar të PD, ku kërkonte mënjanimin e tij nga PD pas dorëheqjes së Bashës, Berisha pati këtë koment.

“Sa i përket fletushkës që lexoi zoti Alibeaj mund të them vetëm se në atë fletushkë Lulzim Bashën e shndërronte në plaçkë tregu, por kjo nuk është normale”.

Berisha shtoi se ka një grup parlamentar të PD dhe jo dy, i cili sipas tij po punon për të normalizuar punën e tij.

“Disa qëndrime absurde të Lulzim Bashës nuk krijuan anomali në grupin parlamentar. Gjëja më imediate e deputetëve të PD është që të normalizojnë jetën e grupit parlamentar. Kam dijeni se po punohet me intensitet në këtë drejtim dhe kjo do të realizohet”.