Në 80-vjetorin e lindjes, kryedemokrati Sali Berisha ka zgjedhur që të bashkëbisedojë me ndjekësit në rrjetet sociale.
Ish-kryeministri tha se shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi më i fuqishëm i tij në këto 8 dekada të jetës.
Berisha ka falenderuar të gjithë mbështetësit e tij, për të cilët thotë se kanë besuar tek ai edhe në kohët më të vështira.
Kryedemokrati shton se nuk ka ëndërruar ndonjëherë që kjo majë të ishte kaq e bukur për të, pavarësisht nga vështirësitë dhe ndërlikimet.
“Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira. Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim. U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim. E bukur shumë, ua them ju. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin. Një mik i imi francez në një libër lavdëron trimërinë e orës 2 të mëngjesit. E pyeta mikun tim, pse e ke veçuar trimërinë e orës 2 të mëngjesit. Sepse ora 2 e mëngjesit është ora e befasisë më të madhe dhe që ai arrin të reagojë në ora 2 të mëngjesit, ai përballon çdo befasi. Të tillë ishit ju”, tha Berisha.
Në seancën e gjatë pyetje-përgjigje, Berisha kujtoi disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij, duke u ndalur më gjatë në vitin 2021, ku dhe u shpall non grata nga SHBA.
“Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare. Në këtë kontekst, mendoj se me veprimtarinë time është ky një nga shërbimet më të mëdha që e bëj për kombin tim që unë e adhuroj”, tha Berisha.
Tregoi dhe dy pengjet e jetës, duke rrëfyer se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të kthehej pas në kohë.
“Nëse do të kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do ishte ky që është sot. Nëse do të kthehesha në kohë piramidat nuk do të ndodhnin kurrë”, tha Berisha.
Në këtë 80-vjetor, Berisha mori urime të shumta nga miq dhe bashkëpunëtor të tij, si anëtarë të Partisë Demokratike dhe aleati Ilir Meta.