Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestë, mori në dorë flamurin kombëtar dhe iu drejtua kryeministrit Edi Rama me këto fjalë.
“Edi Rama jemi sot këtu për t’u betuar për këtë flamur. Për t’u betuar para flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falim. Pushtetin e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje, mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë, jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të lirë. Edi Rama… ti këto vite je treguar armik i fjalës së lirë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha po ashtu se Rama ka blinduar dyert e Kryeministrisë, por i bëri të ditur që demokratët nuk veprojnë në pabesi.
“Sot ti ia ke mbathur, gabim ke bërë. Sot ti ke blinduar dyert. Gabim ke bërë. Së pari dua të them këtu se ne nuk veprojmë në pabesi. Kur të themi mbathja, do t’ia mbathësh. Së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, ne shpojmë çdo blind, asgjë nuk na ndal ne në përpjekjen tonë për liri. Edi Rama, ti je problemi i madh i lirisë së shqiptarëve. Ti je problemi i madh i çdo qytetari që i thotë lirisë liri, sepse ti qëndron në pushtet me votën e grabitur, me votën e vjedhur”, u shpreh Berisha.
“Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Evropë. Këto pasuri janë shndërruar në mallkim për shqiptarët sepse njësoj si dikur, sot ato shfrytëzohen nga oligarkë të lidhur me qeveritarë. Ju varfëroheni gjithnjë e më shumë sepse pasurinë jua grabisin qeveritarët. Nga ky shesh, në emër të këtyre qytetarëve të bëj thirrje: Boll vodhe, Ik! Shqipëria në rrezik sepse në rrezik është e ardhmja e saj, një komb që lind dhe rrit fëmijë për emigrim”, tha Berisha.
“Ky është fillimi i marshit tonë të lirisë. Miqtë e mi. Këtë javë, shpresojmë që Bashkimi Europian të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë, të hapin negociatat me Shqipërinë. Të mos ndëshkojnë shqiptarët prej Edi Ramës, i cili do çdo gjë, por negociatat me BE-në nuk i do sepse ata do ta nxjerrin atë lakuriq sikur është: demon i pushtetit, kryehajdut i Europës”, u shpreh Berisha.