Në një lidhje live në emisionin Opinion, Sali Berisha u shpreh se kishte biseduar në telefon me Lulzim Bashën gjysmë ore përpara se ky i fundit të dilte në deklaratë për mediat ku njoftoi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD.
Sali Berisha: Së pari do të shprehem që vendimin që kryetari i PD Lulzim Basha komunikoi, është një vendim i cili në rrafshin statutor është nul & void…
Statuti është shkelur me qindra herë dhe nuk ka pasur këtë peshë…
Sali Berisha: Nuk jam dakord sepse këtu kemi të bëjmë me dorëzimin e sovraniteti të PD si institucion dhe këtu defakto kemi të bëjmë me asgjësimin e PD si opozitë sovrane.
Por zoti Berisha, midis jush dhe SHBA ka zgjedhur SHBA.…
Sali Berisha: Unë e kuptoj fuqinë e jashtëzakonshme të SHBA, rëndësinë e tyre, por PD mund të jetë një parti e vlefshme, solide vetëm e vetëm si një parti sovrane. PD nuk mund të jetë një parti që për rrethana që i di Lulzim Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj.
A jua ka komunikuar para ju?
Sali Berisha: Basha më ka marrë në telefon gjysmë ore para se të bënte komunikimin në media dhe unë i kam thënë këto fjalë që po të them:
Unë e kuptoj që ai ka qenë në presion të madh, por pavarësisht nga presionet ka vendime që njeriu nuk i merr kurrë, nuk pranon t’i marrë kurrë. Sot faktikisht PD është shndërruar në një parti pa sovranitet, e cila dorëzohet e tëra lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros.