Sali Berisha, në deklarata për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, deklaroi se Bledi Çuçi, kreu i grupit parlamentar socialist, “është një mashtrues ordiner”.
“Ju bëj thirrje të hetoni pak për Çuçin. Ka nevojë të hetohet. Hetoni pak a është përzënë nga Zvicra dhe pse është përzënë? Nga Gjeneva. Informacionet e mia janë padiskutim, por interesante për publikun janë hetimet e gazetarëve. Shkoni dhe pyesni pse është përzënë nga Gjeneva. Ka qenë me studime atje. Është përzënë për drogë. E di vetë ai.
E dyta, pyesni pak se kush është Aranit Arapi. Unë e kam këtu në librarinë digjitale kushedi sa informata të qytetarit digjital për të. Aranit Arapi është krahu i djathtë i Saimir Tahirit në trafikun e drogës për kohën kur ishte. Për hir të vërtetës, e përzuri Fatmir Xhafaj. Një njeri që nuk e mori Sandër Lleshaj, e kishte edhe mirditor, por nuk e mori se e dinte se nxinte. E mori ky dhe e bëri këshilltar kryesor. Ajo serra që u kap me 90 gra në Berat, mbikëqyrej nga Çuçi dhe Araniti”, tha Berisha.
“Çuçi është një gënjeshtar i paskrupullt. Kur themi që komisioni është ngritur mbi bazë konsensusi, nuk nënkupton kurrë që ne do i caktojmë njëri-tjetrit me konsensus anëtarët. Komisioni funksionon mbi bazën e konsensusit. Domethënë që ligjet, nenet që ai miraton, duhet t’i miratojë me konsensus. Dhe e tillë ka qenë në 32 vite”, shtoi Berisha.