Në “Foltoren” të mbajtur online të ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët në SHBA pati edhe një moment interesant.
Për herë të parë në një nga këto takime u nderua edhe himni amerikan përveç atij shqiptar.
Berisha tha se është i bindur që Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken është i keqinformuar nga lobimet e Soros në vendimin e tij për shpalljen “non grata”.
Berisha tha se lëvizja e tij nuk është anti-amerikane. Berisha bëri akuza të forta ndaj miliarderi George Soros për të cilin tha se ka investuar në projektet e ndryshimit të kufijve dhe nismën “Ballkani i hapur”.
“E vërteta është se më 14 maj unë jam shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken. Unë i kam kthyer letër, duke i thënë se jeni keqkuptuar nga lobimi korruptiv i Ramës dhe Sorosit. Vetë DASH tha se burimet kishin qenë OJF-të dhe mediat e kontrolluara nga qeveria aktuale. A mund të imagjinohet se mund të dënohet një njeri, sepse shpifin kundërshtarët e tij politikë.
Jam shpallur non grata pa pasur asnjë akuzë nga askush nga asnjë individ a shtet mbi tokë, shpallet non grata, pasi partia e tij humbi zgjedhjet, për të shndërruar PD-në si satelit të qeverisë. Kjo hakmarrje sepse në pranverën e 2017 kam kërkuar shpalljen non grata të Soros, sepse Soros ka derdhur miliona euro për të shkatërruar PD-në. Kam kërkuar që të ndalohet veprimtaria e Soros jashtë Amerikës. Qëndrimet e Soros kanë qenë antidemokratike dhe antikombëtare, siç është edhe Ballkani i Hapur, që ka marrë emrin e tij, që është rikthim i homogjenisë serbe në Ballkan”, deklaroi Berisha.