Politika Berisha: Deklarata e Ramës në Athinë se serbët dhe shqiptarët janë kushërinj...

Berisha: Deklarata e Ramës në Athinë se serbët dhe shqiptarët janë kushërinj është anti-shqiptare

Kryetari i PD, Sali Berisha tha sot se, një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë. Berisha u shpreh në fjalën e tij se refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë.

“Edi Rama nuk del dot në debat, sepse është i rrethuar nga të katër anët nga muret e krimeve të tij, lidhjet e tmerrshme me McGonigalin. Erion Veliaj kalon nga studio në studio dhe mashtron duke deklaruar analiza që i ka bërë një OJF që nuk ia tregon as emrin, as kampionin”, tha Berisha.

Gjithashtu, Kryetari i PD, Sali Berisha dënoi deklaratën antishqiptare të Ramës, i cili ky i fundit ishte shprehur në një deklaratë të tijën se “serbët dhe shqiptarët janë kushërinj”.

Berisha theksoi se, për të justifikuar tradhtinë e tij ndaj kombit shqiptar, Rama po shkelmon mbi qindra mijëra të vrarë nga barbaritë serbë, të quajë gjenocidet serbe si gjenocide të kryera mes kushërinjve.

“Sot unë këtu dënoj me forcën më të madhe deklaratën në Athinë antishqiptare të Edi Ramës. Për herë të parë në tërë historinë e Shqipërisë, Ballkanit, Europës dhe botës, një njeri i papërgjegjshëm kalon në një mashtrim madhor historik. Deklaron se shqiptarë dhe serb janë kushërinj. Për të justifikuar tradhtinë e tij ndaj kombit shqiptar, ai arrin të shkelmojë mbi qindra mijëra të vrarë nga barbaritë serbe. Të quajë gjenocidet serbe, si gjenocide të kryera mes kushërinjve. Një mendje njerëzore më antishqiptare se kjo nuk mund të bëhet.

Me kushërirllëkun që njeh Edi Rama, kërkon të legjitimojë çdo pretendim serb në territoret shqiptare, të vendosë në harresë të gjitha barbaritë serbe, shkelmon historinë, të vërtetën. Shkelmon çdo gjë me një formulë të marrë nga Beogradi për ta thënë në Athinë.

Ku e bazon ai? E bazon vetëm në vasalitetin, në asgjë tjetër. Në asnjë përkatësi shqiptarët dhe serbët nuk janë kushërinj. Shqiptarët janë këtu qëkur është krijuar kjo tokë. Serbët, sipas historisë dhe historianëve të tyre kanë ardhur këtu nga Stepat në shek.VI. Se ku e gjen lidhjen e gjakut Edi Rama, e gjen në tradhtinë e tij, vasalitetin e tij ndaj Beogradit. Dhe ky është një akt i dënueshëm”, tha Berisha.